Presidenti rus Vladimir Putin thotë se është gati të takohet me Volodymyr Zelenskyn por vetëm si pjesë e “fazës përfundimtare” të negociatave midis Moskës dhe Kievit.
Në një takim me gazetarët e agjencive të lajmeve të huaja në Shën Petersburg, Putin tha: “Unë jam gjithashtu i gatshëm të takohem (me Volodymyr Zelensky-n), por vetëm nëse është faza përfundimtare” e bisedimeve.
Ai tha se nuk ka frikë nga riarmatimi i NATO-s, pasi nuk e konsideron si kërcënim për Rusinë.
"Ne nuk e konsiderojmë asnjë riarmatim të NATO-s si një kërcënim për Federatën Ruse", deklaroi udhëheqësi i Kremlinit, duke shtuar “sepse ne jemi të vetëmjaftueshëm në aspektin e sigurimit të sigurisë sonë dhe ne po përmirësojmë vazhdimisht forcat tona të armatosura dhe aftësitë tona mbrojtëse. Çfarëdo që të bëjë NATO, sigurisht, krijon kërcënime, por ne do t'i shtypim të gjitha, nuk ka dyshim për këtë."
Putin mohoi sërish se dëshiron të sulmojë Evropën. "Është absurditet, është e njëjta gënjeshtër e pabesueshme që ata po përpiqen ta bëjnë popullsinë e vendeve të Evropës Perëndimore të besojë.", shtoi lideri rus.
Ai gjithashtu foli me terma të dyshimta për rolin e mundshëm që Gjermania mund të luajë në negociatat për konfliktit në Ukrainë. Putin pohoi se nuk beson se Berlini mund të japë një kontribut më të madh se Shtetet e Bashkuara si ndërmjetës në negociatat midis Rusisë dhe Ukrainës.
"Një ndërmjetës duhet të jetë neutral", tha presidenti rus, duke lënë derën e hapur për një takim me kancelarin gjerman Friedrich Merz.
“Nëse kancelari dëshiron të telefonojë dhe të flasë, ne nuk refuzojmë asnjë kontakt dhe jemi gjithmonë të disponueshëm për këtë.”, tha Putin.
Komente
