Vladimir Putin

Bota

Putin: Do reagojmë me shpejtësi nëse Evropa na provokon, nuk sulmojmë NATO-n! Ajo që po ndodh në Ukrainë është tragjedi

2 Tetor, 18:31| Përditesimi: 2 Tetor, 19:13

  • Share

Presidenti rus Vladimir Putin thotë se Rusia do të reagojë shpejt nëse Evropa provokon Moskën për armatosjen e Ukrainës, të cilën kreu i Kremlinit e konsideroi si “militarizim histerik të kontinentit”.

Bëhet fjalë për raketat me rreze të gjatë veprimi që kërkon Ukraina, për të cilat Evropa ka rënë dakord që më herët, por së fundmi po diskutohet edhe nga SHBA për t’i dhënë ose jo aprovimin.

Siç tha ai, elitat evropiane po përhapin idenë se lufta me Rusinë është e afërt, diçka që ai e përshkroi si "marrëzi" dhe "të pamundur për t'u besuar", pasi bie ndesh me interesat e sigurisë së vetë Moskës.

Megjithatë, Putin u shpreh se Rusia nuk ka ndërmend ta sulmojë NATO-n.

Putin komentoi gjithashtu deklaratat e Gjermanisë se do të ndërtonte ushtrinë më të fortë në Evropë, duke u pyetur nëse kjo ishte retorikë politike apo plane reale. Ai paralajmëroi se Rusia do t'i monitoronte nga afër këto lëvizje dhe deklaroi se: "Përgjigjia jonë do të jetë, për ta thënë butë, mjaft bindëse".

Presidenti rus bëri fajtore Evropën për luftën që po vazhdon në Ukrainë, si dhe vetë NATO-n si shkaktare të luftës që synonte zgjerimin drejt Lindjes pranë kufijve të Rusisë.

Putin e konsideron tragjedi atë që po ndodh në Ukrainë.

“Tragjedia e Ukrainës është e dhimbshme si për ukrainasit ashtu edhe për rusët. Është e dhimbshme për të gjithë ne”, tha Putin.

Ndërkohë, Presidenti rus shprehu mirënjohjen ndaj vendeve të BRICS dhe vendeve arabe për përpjekjet e tyre për paqe, si dhe ndaj aleatëve Korea e Veriut dhe Bjellorusia.

Këto deklarata, Putini i bëri në fjalimin vjetor në Klubin e Diskutimit Valdai në Soçi, një forum që mbledh ekspertët dhe politikëbërësit e Rusisë.

V.GJ /ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Begaj shpalli zgjedhjet në Tiranë pa pritur Kushtetuesen për Veliajn, si ju duket?