Presidenti rus Vladimir Putin shpalli një armëpushim të njëanshëm për Pashkë në Ukrainë, duke urdhëruar forcat e tij të ndalojnë luftimet nga dita e sotme në orën 18:00 sipas kohës së Moskës, deri në fund të ditës së diel. Lëvizja e Putinit vjen për të respektuar festën e Pashkëve.
"Mbështetur në konsiderata humanitare ... pala ruse shpall një armëpushim për Pashkë. Urdhëroj ndalimin e të gjitha veprimeve ushtarake gjatë kësaj periudhe," i tha Putin shefit të ushtrisë, Valery Gerasimov, gjatë një takimi në Kremlin.
"Supozojmë se Ukraina do të ndjekë shembullin tonë. Në të njëjtën kohë, trupat tona duhet të jenë të përgatitura të përballojnë çdo shkelje të mundshme të armëpushimit dhe provokime nga armiku, çdo veprim agresiv," shtoi Putin.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha se kishte dhënë udhëzime për armëpushimin për të gjithë komandantët e grupeve në zonën e "operacionit special ushtarak", siç e quan Kremlini luftën, raporton Reuters.
Trupat ruse do t’i përmbahen armëpushimit për sa kohë që ai "respektohet në mënyrë të ndërsjellë" nga Ukraina, thuhet në një deklaratë të ministrisë.
Komente
