Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky kritikoi armëpushimin 3 ditor të shpallur nga presidenti rus Vladimir Putin me rastin e 80-vjetorit të “Ditës së Fitores”- ditë të cilën ish-Bashkimi Sovjetik triumfoi në Luftën e Dytë Botërore ndaj Gjermanisë naziste.
Përmes një videomesazhi, Zelensky u shpreh se me këtë armëpushim i cili duhet të jetë, i plotë dhe pakushte.
“Ne vlerësojmë jetën e njerëzve, jo paradat. Prandaj mendojmë se dhe bota beson se nuk ka asnjë arsye për të pritur deri më 8 maj. Armëpushimi nuk duhet të jetë vetëm për disa ditë, për t’u rikthyer pastaj te vrasjet. Ai duhet të jetë i menjëhershëm, i plotë dhe pa kushte, për të paktën 30 ditë, në mënyrë që të jetë i sigurt dhe i garantuar. Ky është themeli që mund të çojë drejt diplomacisë së vërtetë”, tha Zelensky.
Presidenti ukrainas ka shtuar se është pro propozimit amerikan për armëpushim, duke thënë se Rusia i ka refuzuar këto dhe vazhdon të manipulojë botën duke u përpjekur t’i mashtrojë Shtetet e Bashkuara.
“Tani, edhe një herë, një tjetër përpjekje për manipulim: për arsye të pakuptimta, të gjithë pritet të presin deri më 8 maj për të ndalur zjarrin, vetëm që Putini të ketë heshtje për paradën e tij…Ne e ripohojmë këtë propozim. Edhe propozimi amerikan mbetet ende në tryezë. Rusia e di saktësisht çfarë duhet të bëjë dhe si duhet të përgjigjet: të ndalojë vërtet zjarrin.
Më 11 mars, ne iu përgjigjëm pozitivisht propozimit amerikan për një armëpushim të plotë. Ne bëmë gjithashtu një propozim tonin ndaj Rusisë në mënyrë dypalëshe, për të ndalur sulmet, të paktën ndaj objektivave civile. Propozuam gjithashtu që armëpushimi i Pashkëve të ishte i plotë dhe të zgjatej për tridhjetë ditë”, nënvizoi Zelensky.
Kujtojmë se Putin gjithashtu shpalli në mënyrë të njëanshme një armëpushim 30-orësh me rastin e festës së Pashkëve, për të cilin Kievi e priti me skepticizëm të menjëhershëm, por më pas ra dakord.
Ushtria ukrainase më vonë akuzoi Rusinë për shkeljen e armëpushimit me më shumë se 2900 sulme përgjatë vijës së gjerë të frontit. Moska nga ana tjetër akuzoi Ukrainën për shkeljen e armëpushimit.
Rusia nisi pushtimin më 24 shkurt 2022 dhe aktualisht kontrollon rreth 20% të territorit të Ukrainës, duke përfshirë gadishullin jugor të Krimesë të aneksuar nga Moska në 2014.
Komente
