Presidenti rus Vladimir Putin u takua me emisarin amerikan Steve Witkoff në Kremlin, ndërsa afati i vendosur nga Donald Trump për një armëpushim në Ukrainë po afrohet.
Mediat ruse raportojnë se bisedimet zgjatën rreth tre orë, pas mbërritjes së Witkoff në Rusi mëngjesin e së mërkurës.
Presidenti i SHBA-së ka paralajmëruar se nëse Moska nuk ndërmerr hapa konkretë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, Rusia mund të përballet me sanksione të ashpra, si dhe me sanksione të dyta ndaj vendeve që vazhdojnë të tregtojnë me të.
Në pamjet e publikuara nga mediat ruse, Witkoff dhe Putin shihen duke buzëqeshur e shtrënguar duart. Dy zyrtarët janë takuar disa herë më parë.
Kremlini tha se takimi ishte i dobishëm dhe konstruktiv.
Witkoff dhe Putin diskutuan luftën e vazhdueshme të Rusisë në Ukrainë, raportoi media shtetërore RIA Novosti, duke cituar Kremlinin.
"Putin përcolli disa sinjale në Shtetet e Bashkuara mbi çështjen ukrainase. Sinjale përkatëse u morën edhe nga Presidenti Trump", tha RIA në një postim në mediat sociale.
Megjithatë, pritshmëritë për një marrëveshje deri të premten mbeten të ulëta. Rusia vazhdon sulmet ajrore në shkallë të gjerë ndaj Ukrainës, pavarësisht paralajmërimeve për sanksione nga SHBA.
Trump, i cili pati premtuar përpara marrjes së detyrës në janar se do ta përfundonte luftën në një ditë, është treguar gjithnjë e më i paduruar për mungesën e progresit. Retorika e tij ndaj Rusisë është ashpërsuar.
Tre raunde bisedimesh mes Ukrainës dhe Rusisë të zhvilluara në Stamboll kanë dështuar të sjellin një përfundim të luftës, e cila vazhdon prej më shumë se tre vjet e gjysmë nga fillimi i pushtimit të plotë nga Moska.
Komente
