Situata e tensionuar në Ballkanin Perëndimor do të jetë temë e bisedimeve mes presidentit rus Vladimir Putin dhe zëvendëskryeministrit serb Aleksandër Vulin, këtë të mërkurë (4 Shtator).
Këtë e tha për gazetarët zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov. Ai kujtoi se “Vulin, i cili ka vizituar Federatën Ruse disa herë, është përgjegjës në qeverinë serbe, për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe në emër të Vuçiç", raporton “Insajder”.
Zëvendëskryeministri i Serbisë do të diskutojë çështjet aktuale me presidentin rus dhe gjithçka që lidhet me situatën në Ballkan. "Ajo është ende objekt i shqetësimit tonë të thellë", raporton media tjetër “A2”, duke iu referuar deklaratës së zëdhënësit Peskov.
“Putin dhe Vulin do të takohen në vazhdën e Forumit Ekonomik Lindor në Vladivostok. Takimi i paralajmëruar është kritikuar nga Bashkimi Europian”, tha Peskov.
Në një deklaratë për “Radion Evropa e Lirë”, Brukseli tha se një hap i tillë nuk është në përputhje me vlerat e bllokut e as me procesin e anëtarësimit në të.
“Bashkimi Evropian ka qenë tejet i qartë me partnerët: marrëdhëniet me Rusinë nuk mund të jenë normale pas luftës së paprovokuar dhe të pajustifikuar të të Rusisë kundër Ukrainës”, thuhet në reagimin e BE.
Kryeministri serb Millosh Vuçeviç replikoi se nuk ka asgjë të tmerrshme tek fakti që Vulin do të takojë Putinin.
Teksa kujtoi se nuk I kanë ndërprerë asnjëherë marrëdhëniet diplomatike me Moskën, ai u shpreh se Beogradi nuk inkurajon as luftën e as shkeljen e integritetit territorial të Ukrainës.