Presidenti rus, Vladimir Putin

Bota

Putin: Trupat perëndimore në Ukrainë do të ishin një objektiv legjitim i yni

5 Shtator, 09:25| Përditesimi: 5 Shtator, 18:12

  • Share

Presidenti rus, Vladimir Putin, duke folur nga Vladivostoku, deklaroi se çdo prani e trupave perëndimore në Ukrainë do të bëhej një objektiv për forcat ruse. “Nëse trupa të huaja do të shfaqeshin atje (në Ukrainë), veçanërisht tani gjatë luftimeve, ne e marrim të mirëqenë që ato do të ishin objektiva legjitime,” tha Putin, duke folur në Forumin Ekonomik Lindor (EEF) në Vladivostok, në lindjen e largët të Rusisë.

Kreu i Kremlinit shtoi se vendosja e një force perëndimore “nuk do të ndihmonte në një paqe afatgjatë”. Putin deklaroi se nëse do të mund të arrihej një marrëveshje paqeje për Ukrainën, atëherë nuk do të kishte nevojë për trupa të huaja. “Nëse do të arriheshin vendime që do të çonin drejt paqes, një paqe afatgjatë, atëherë thjesht nuk shoh ndonjë arsye për praninë e tyre në territorin ukrainas. Sepse, nëse do të arriheshin marrëveshje, askush të mos dyshojë që Rusia do t’i respektonte plotësisht,” tha lideri i Kremlinit.

Një qëndrim i ashpër i Kremlinit erdhi më pas ndaj ndaj vendeve europiane, të akuzuara për "pengimin" e zgjidhjes së konfliktit në Ukrainë. “Europianët,” tha zëdhënësi i Moskës, Dmitri Peskov, në një intervistë për gazetën ruse Izvestia, “po pengojnë zgjidhjen në Ukrainë. Ata nuk po kontribuojnë aspak.” Peskov akuzon Europën se “po vazhdon përpjekjet” për ta kthyer Ukrainën në “qendrën e gjithçkaje që është kundër Rusisë”.

Rusia nuk mund t’i lejojë NATO-s të vendosë trupat e saj në Ukrainë dhe do të bëjë gjithçka për të garantuar sigurinë e saj, tha Peskov, i cituar nga agjencia Tass. “Përpjekja e NATO-s për të gjetur qasje drejt Ukrainës përbën një kërcënim për vendin tonë,” tha ai, duke e quajtur një “kërcënim për kufijtë tanë”. “Është një kërcënim për ne, sepse NATO e konsideron Rusinë si armik, siç e shprehin qartë dokumentet e tyre. Nuk mund ta lejojmë që kjo të ndodhë. Dhe do të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për të garantuar sigurinë tonë,” shtoi Peskov.

Kremlini – tha më tej Peskov – është “absolutisht” kundër garancive ushtarake amerikane dhe europiane që i ofrohen Ukrainës për sigurinë e saj. “Të huajt, veçanërisht kontingjentet ushtarake europiane dhe amerikane, a mund ta garantojnë sigurinë e Ukrainës?” – pyet Peskov duke folur për agjencinë RIA Novosti. “Absolutisht jo, nuk munden,” tha ai. “Kjo,” shtoi ai, “nuk mund të jetë një garanci sigurie për Ukrainën që të jetë e pranueshme për vendin tonë.” 

Ndërkohë, gjatë natës, presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se do të flasë “me Putinin”. “Kemi një dialog të mirë,” tha ai. Nga Moska, megjithatë, erdhi një qëndrim më i përmbajtur.

“Në këtë moment,” tha Peskov për Tass, “nuk ka pasur ndonjë rezultat paraprak.” Trump, përveç kësaj, është gati të firmosë urdhrin ekzekutiv për të ndryshuar emrin e Departamentit të Mbrojtjes në “Departamenti i Luftës”, emër që e mbante deri në vitin 1947. Kreu i Pentagonit, Pete Hegseth, do të bëhet kështu “sekretari i luftës”.

Ora 18:09
Zelensky: Jemi gati për të mbajtur takim, por Putini do të vazhdojë luftën

1756921667_volodymyrzelensky.jpg

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se ai është gati për takim me presidentin e Rusisë Vladimir Putin, por ky i fundit sipas do që të vazhdojë luftën.

'Ne jemi gati për çdo lloj takimi, por nuk mendojmë se Putini është në të vërtetë gati për t'i dhënë fund luftës; ai nuk dëshiron ta përfundojë atë. Nga ana tjetër, hapi i parë drejt paqes është "një armëpushim, dhe Putini, përkundrazi, po rrit veprimet ushtarake", tha ai në forumin e Shtëpisë Evropiane Ambrosetti.

Ora 14:16
Costa: Anëtarësimi në BE është garancia më e mirë e sigurisë për Ukrainën

1755611675_antoniocosta.jpg

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa thotë se anëtarësimi në BE i Ukrainës është garancia më e mirë e sigurisë dhe prosperitetit të vendit. Pas një takimi që mbajtu me Volodymyr Zelenskyn, Costa tha se janë të impresionuar nga reformat që ka bërë vendi pavarësisht se ka qenë në luftë. 

"Duke mbështetur rindërtimin e Ukrainës dhe rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, është e qartë se anëtarësimi i plotë i Ukrainës në Bashkimin Evropian nuk është vetëm garancia më e mirë e sigurisë, por edhe rruga më efektive drejt prosperitetit dhe një të ardhmeje më të mirë për popullin ukrainas.

Dua të theksoj këtu sot sa të impresionuar jemi nga reformat që keni kryer pavarësisht luftës në tokën tuaj. Kjo punë duhet të vazhdojë dhe ne jemi këtu për t'ju mbështetur. Ne do t'ju mbështesim në luftë kur ajo të vazhdojë. Ne do t'ju mbështesim në përpjekjet tuaja për paqe, në negociatat e ardhshme për paqe dhe, më e rëndësishmja, në të ardhmen tonë të përbashkët si anëtare e plotë e Ukrainës në Bashkimin Evropian", përfundoi ai.

Ora 11:23
Zelensky bën thirrje që garancitë e sigurisë të fillojnë menjëherë

1756997433_AA.JPG

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka bërë thirrje që garancitë e sigurisë të fillojnë menjëherë.  

“Është e rëndësishme që garancitë e sigurisë që 26 vendet të gatshme synojnë t'i ofrojnë Ukrainës të fillojnë sot dhe jo vetëm kur të mbarojë konflikti. Janë 45 vende në koalicionin e të vullnetshmëve dhe 26 janë të gatshme të ofrojnë mbështetje të vërtetë, dhe Italia është natyrshëm pjesë e tyre. Në javët e ardhshme do të flasim me vendet individuale për të kuptuar se si do të kontribuojnë", u shpreh Zelensky.

Presidenti ukrainas theksoi se jo të gjitha vendet "të gatshme" do të ofrojnë ndihmë ushtarake, por disa do të mbështesin mbrojtjen e Kievit me burime financiare dhe materiale.

 

Ora 09:52
Putin: Garantojmë 100% sigurinë e delegacionit të Kievit nëse bisedimet zhvillohen në Moskë

1755668030_vladimirputin.jpeg

Presidenti rus, Vladimir Putin thotë se garantojnë sigurinë e delegacionit të Kievit nëse bisedimet për të arritur një armëpushim apo marrëveshje paqeje zhvillohen në Moskë. 

"Pala ukrainase e dëshiron këtë takim dhe e ka propozuar atë. Unë them, ne jemi gati, ejani. Ne do të garantojmë kushtet e nevojshme të punës dhe të sigurisë, një garanci 100%. Nëse na thonë se duan të takohen dhe se duhet të udhëtojmë diku për të zhvilluar takimin, mendoj se këto kërkesa janë thjesht të tepërta. Nëse ata duan të takohen, ne jemi gati. Vendi më i mirë është kryeqyteti i Rusisë, qyteti hero i Moskës", ka deklaruar Putin. 

Ora 07:12
Zelensky refuzoi takimin në Moskë, Kremlini: Putin e ftoi për t’u takuar, jo për t’u dorëzuar

Rusia thotë se nuk ka përparim në negociata ndërsa këmbëngul për një takim mes Vladimir Putinit dhe Volodymyr Zelenskyt në Moskë. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, duke komentuar refuzimin e presidentit ukrainas, tha se Putin e ftoi atë në Moskë për të folur për të arritur një marrëveshje dhe jo për t’u dorëzuar.

“Presidenti rus Vladimir Putin e ftoi Volodymyr Zelenskyn në Moskë për të filluar bisedimet, jo për t'u dorëzuar", tha Peskov.

Kur u pyet pse Moska u zgjodh si vendi i samitit, Peskov u përgjigj se "ishte propozimi i Putinit, të cilin Zelensky e hodhi poshtë personalisht përmes ministrit të tij të Jashtëm".

Ky koment vjen pasi Zelensky, gjatë një konference që mbajti me Emmanuel Macron në Paris, tha se një takim me Putin është i nevojshëm por nuk mund të zhvillohet në Moskë.

Peskov përsëriti sërish qëndrimin rus për garancitë ushtarake të ofruara nga SHBA-të dhe Evropa për Ukrainën, duke thënë:

"A mund të garantojnë të huajt, veçanërisht kontingjentet ushtarake evropiane dhe amerikane, sigurinë e Ukrainës? Absolutisht jo, ata nuk munden. Kjo nuk mund të jetë një garanci sigurie për Ukrainën që i përshtatet vendit tonë.”

Sakaq, edhe Donald Trump ka njoftuar se do të zhvillojë një bisedë telefonike me Putin pas asaj që mbajti me Zelenskyn.

"Do të flas me Putinin, do të kemi një dialog të mirë.", tha presidenti amerikan.

A.I/Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord me propozimin e Ramës për heqjen e depozitave të ujit nga pallatet?