Vladimir Putin: Atje ku shkel këmba e ushtarit rus, ajo tokë është e jona. Kjo fjalë e urtë duhet të shërbejë për të "qetësuar", duke theksuar se Rusia “nuk kërkon kapitullimin e Ukrainës, por njohjen e realitetit të krijuar në terren”. Por kufiri mes “tonës” dhe “tyrës” mbetet tepër i paqartë, pasi, sipas liderit të Kremlinit, “rusët dhe ukrainasit janë një popull i vetëm dhe, në këtë kuptim, e gjithë Ukraina është e jona”.
Prandaj, edhe pse përparimi i trupave të tij për të krijuar një “zonë sigurie” përgjatë kufirit — nga 10 deri në 12 kilometra — nuk ka si synim “pushtimin e qytetit Sumy”, presidenti rus sqaron: “Në parim, nuk e përjashtoj”.
Pretendime luftarake që, pavarësisht nga një shkëmbim i ri të burgosurish, zbulojnë shumë për qasjen e Rusisë në bisedimet që po zhvillohen në Stamboll: nëse objektivat janë kaq maksimaliste, nuk ka hapësirë për kompromis mbi kushtet e vendosura nga Moska. Putin risjell në vëmendje pikat kryesore të atyre kushteve: do ta njohë pavarësinë e Kievit vetëm nëse Ukraina bëhet një “shtet neutral” dhe dorëzon territoret që Moska i ka aneksuar në mënyrë të njëanshme.
Kievi kundërshton fuqishëm: “Deklaratat cinike të Putinit tregojnë përbuzje të plotë për përpjekjet e SHBA-së për paqe. Ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe pjesa tjetër e botës kërkojnë ndaljen e menjëhershme të vrasjeve, krimineli kryesor i luftës në Rusi flet për plane për të pushtuar më shumë territore dhe për të vrarë më shumë ukrainas”, është reagimi i ministrit të Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha.
Por Putin nuk tërhiqet: “Kemi thënë gjithmonë: ose negociojmë tani, ose do të detyroheni të negocioni më vonë nga një pozitë shumë më e pafavorshme për ju”.
Ky paralajmërim vjen nga sesioni plenar i Forumit Ekonomik Ndërkombëtar të Shën Petersburgut, ish-”Davos-i rus”, sot i bojkotuar nga Perëndimi dhe i injoruar madje edhe nga shumë vende aleate, aq sa Putin ndan skenën me zyrtarë të rendit më të ulët: zëvendëskryeministrin kinez Ding Xuexiang, sheikun Nasser bin Hamad Al Khalifa — i treti në radhën e trashëgimisë së fronit të Bahreinit — dhe zëvendëspresidentin e Afrikës së Jugut, Paul Mashatile. Përjashtimi i vetëm ishte presidenti indonezian, Prabowo Subianto.
Seanca zgjati plot katër orë, “një rekord”, sipas Argumenti i Fakty. Vetëm fjalimi hapës i Putinit zgjati 55 minuta, “ndër pesë më të gjatat ndonjëherë”.
Presidenti nuk mund të anashkalonte as paralajmërimin e lëshuar një ditë më parë nga ministri i Zhvillimit Ekonomik, Maksim Reshetnikov, për një Rusi “në prag të një kalimi drejt recesionit”.
Por Putin i hodhi poshtë këto qëndrime pesimiste. “Disa ekspertë dhe specialistë flasin për rrezikun e stagnimit apo edhe të recesionit, por kjo, natyrisht, nuk mund të tolerohet në asnjë rrethanë”, tha ai, duke dërguar një mesazh të qartë për bashkëpunëtorët e tij, duke nisur nga guvernatorja e Bankës Qendrore, Elvira Nabiullina, e pranishme në rreshtat e parë të sallës.
Putin i ftoi të gjithë të shihnin anën pozitive të medaljes — rritjen e PBB-së apo rënien e papunësisë — për të përfunduar, këtë herë duke cituar Mark Twain, se “lajmet për vdekjen e ekonomisë ruse janë dukshëm të ekzagjeruara”.
Komente
