Presidenti rus Vladimir Putin ka zëvendësuar ministrin e tij të mbrojtjes dhe aleatin e tij të ngushtë Sergei Shoigu me një ekonomist, një riorganizim i madh i udhëheqjes ushtarake më shumë se dy vjet pasi lufta e ashpër e Moskës kundër Ukrainës ka rritur shpenzimet e mbrojtjes.
Andrey Belousov, një civil që shërbeu si ish-zëvendëskryeministër i parë dhe i specializuar në ekonomi, u emërua në postin e lartë të mbrojtjes, tha të dielën zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.
Shoigu u “lirua” nga pozicioni i tij me dekret presidencial, tha Peskov, por ai do të mbetet një pjesë me ndikim në administratën e Putinit si Sekretar i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, duke zëvendësuar Nikolai Patrushev.
Shoigu do të bëhet gjithashtu zëvendës në Komisionin Ushtarak-Industrial të Rusisë, tha Peskov, ndërsa Putini fillon mandatin e pestë si president.
Sipas Kushtetutës, Putin duhej të emëronte një qeveri të re pas marrjes mandatit të pestë presidencial. Teknikisht miratimi i këtyre ndryshimeve i takon Dumës, por është një formalitet i pastër i paraqitur pas ndryshimit të Kushtetutës 2020 për t'i dhënë një pamje legjitimiteti dhomës së ulët të Parlamentit rus. Të premten, Putin riemëroi kryeministrin Mikhail Mishustin. Dhe pritej që ai gjithashtu të mbante ekipin qeveritar pothuajse të paprekur për të dërguar një mesazh të mëtejshëm stabiliteti.
E vetmja pasiguri kishte të bënte me fatin e Shoigut, ndërsa zëvendësi i tij Timur Ivanov u arrestua për korrupsion më 23 prill. Prandaj, shkarkimi i tij si ministër i Mbrojtjes pas 12 vitesh nuk ishte surprizë. Por transferimi i tij në Këshillin e Sigurimit tregon se nuk është një dënim. Këshilli i Sigurimit është hierarkikisht mbi Ministrinë e Mbrojtjes.
Surpriza ishte emërimi i Belousov, i lindur në 1959, një ekonomist si babai i tij. Ishte ai, së bashku me guvernatoren e Bankës së Rusisë, Elvira Nabiullina , që studioi kundërmasat ndaj sanksioneve perëndimore. Është një shenjë se Putini donte një teknokrat të besueshëm, i cili nga njëra anë nuk do të ndërhynte në vendimet e komandantit të përgjithshëm të forcave të armatosura, d.m.th. të tij, dhe nga ana tjetër, do të pastronte mbrojtjen nga korrupsioni.
Vetë Peskov tha: "Ndryshimi është i justifikuar sepse Rusia i ngjan gjithnjë e më shumë Bashkimit Sovjetik në mesin e viteve 1980, kur autoritetet ushtarake dhe policore përfaqësonin 7.4% të shpenzimeve shtetërore".
Emërimi i Belousov, sipas Peskov, do të thotë të sigurohet që shpenzimet e tilla të jenë në përputhje me interesat e përgjithshme të vendit.
"Kushdo që është më i hapur ndaj risive do të fitojë në fushën e betejës".
Se ky ndryshim në krye nuk është një dënim i udhëheqjes ushtarake të të ashtuquajturit Operacioni Special Ushtarak në Ukrainë, dëshmon edhe fakti që Valery Gerasimov u rikonfirmua si shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Ruse.
Tani mbetet mister se çfarë do të bëhet me Nikolai Patrushev, i konsideruar si "njeriu më i frikshëm në Rusi" dhe besniku i Putin. Tani ka dy hipoteza dhe ato shkojnë në dy drejtime krejtësisht të kundërta. E para është se ai promovohet si kreu i administratës presidenciale ose si kreu i një organi të ri.
E dyta është se Patrushev do të ulet nga gradat e larta, njëjtë si ish-kreu i forcave të armatosura të Ukrainës, Valery Zaluzhnyj, i emëruar ambasador në Londër. Një vendim i tillë do të thoshte se Putini ka hequr të vetmin njeri që jo vetëm arriti t'i thoshte "jo", por që mbajti kontakte me Shtetet e Bashkuara, duke parandaluar një përshkallëzim bërthamor.
Andrei Belousov
Presidenti rus Vladimir Putin ka propozuar një ministër të ri të mbrojtjes të papritur, duke emëruar Andrei Belousov, një ish-zëvendëskryeministër i specializuar në ekonomi. Ai është një emër që nuk e kemi dëgjuar shumë gjatë luftës, por si ministër i Mbrojtjes ai do të bëhet një figurë kyçe.
Kush është Andrei Belousov?
Belousov 65-vjeç u diplomua në Fakultetin Ekonomik të Universitetit Shtetëror të Moskës në vitin 1981. Ai u emërua këshilltar i kryeministrit rus në vitin 2000 dhe iu bashkua Ministrisë së Ekonomisë në vitin 2006.
Midis 2008 dhe 2012 ai shërbeu si drejtor i departamentit të ekonomisë dhe financave nën Vladimir Putin. Belousov u emërua ministër i Ekonomisë në vitin 2012 dhe më pas shërbeu si këshilltar i Presidentit rus nga viti 2013 deri në vitin 2020.
Pas kësaj ai ishte zëvendëskryeministër – me një periudhë të shkurtër ku ai shërbeu si kryeministër kur Mikhail Mishustin u prek nga COVID-19 në vitin 2020.
Sipas RBC, ai praktikoi sambo dhe karate në rininë e tij dhe nuk shërbeu në forcat e armatosura. Në krahasim nga ministrat e mëparshëm të mbrojtjes, Belousov nuk ka një përvojë ushtarake. Por ai besohet të jetë i afërt me Putinin.