Ermonela Jaho

Alba Malltezi: Për Ermonelën dhe për ekskluzivitetin e të bukurës dhe talentit

20 Prill 2023, 14:35| Përditesimi: 20 Prill 2023, 14:51

  • Share

U trishtua e jashtëzakonshmja jonë, sopranoja Ermonela Jaho dhe shumë të tjerë bashkë me të. Nuk është hera e parë që Shqipëria “plagos” më të mirët e vet. Dhe siç ndodh, kur mërzitemi shohim përreth se kush e ka fajin. Në masterklasin e saj në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit mesa duket kishte fare pak pjesëmarrës.

Dikush nis të bëjë menjëherë llogaritë dhe fajin ja vë cmimit (më i lirë se një drekë në një restorant në Tiranë, se një trajtim në qëndrat estetike, se një ndërhyrje botox, se një tatuazh vetullash, qepje në rrobaqepësi etj. etj), dikush tjetër mallkon popullin shqiptar se nuk qënka i denjë për Art e për asgjë, madje edhe Big Brother e ka fajin për këtë. Ndërkohë harrojmë se talenti, e bukura, e magjishmja, kanë qenë e do të mbeten fenomene të rralla kudo, edhe në Italinë e Michelangelos, ku të rinjtë shtyhen e grumbullohen për të bërë selfie me një influencer që vetëm ndërron përditë rrobat, apo në Francën e Edith Piaf, ku nuk e kanë për gjë të hedhin qesen me letra e plastikën e panines mu në këmbët e Tour Eiffel. E bukura, talenti, e sjellëshmja, janë dukuri të rralla, ekskluzive, që po të ishin masive do të bëheshin vulg, vulgarë.

Prandaj, nuk ka pse të mërzitet me askënd as Ermonela Jaho, askush tjetër që atë e vlerëson. Leksioni i saj i ka mjaftuar qoftë edhe një nëxënëseje të vetme fare, të cilën e ka prekur në diafragmë, i ka përçuar ritmin e frymëmarrjes, apo magjinë dhe emocionin e intepretimit, edhe pa folur fare, ashtu si një talent di të bëjë. Në fund të fundit ka të drejtë edhe maestroja i sinqertë dhe i vrazhdë, tenori ynë gjithashtu i suksesshëm Josif Gjipali.

Atij muzikën ja kanë mësuar më të mëdhenjtë botërorë të skenës operistike, pasi një Maestro mund të të japë, por është “ena” e nxënësit e rëndësishme, nëse dëshiron të nxë. Edhe sikur salla e masterclassit të Ermonela Jahos të ishte mbushur plot e stërplot, nuk e dimë se sa “enë” të gatshme për t’u mbushur me elizirin e magjisë operistike ishin me kapak të hapur. Një talent mjafton të ekzistojë, do të jenë dishepujt ata që do ta përthithin dot apo jo, ndryshe do të mjaftonin masterclasset për të bërë qindra, mijëra Ermonela Jaho, apo Maria Callas më parë. Gian Giacomo Caprotti ishte nxënësi më i dashur dhe i privilegjuar i Leonardo Da Vincit, por ai nuk u bë asnjëherë një Leonardo. Ndaj, janë të tepërta shpërthimet e artistëve, mes artistëve dhe për artistët. Politikanët na dalin dhe na teprojnë

a.m.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Art Freak: 20/04/2023 15:43

    Ke te drejte. Me lexove mendjen dhe krahasimet ishin te goditura

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?