LAÇ- Vuajtjeve të Asqeri Letit, sa në shtëpi në tjetrën, pas 2 viteve i ka ardhur fundi. Sot, ai do të fle në shtëpinë e tij të re, të rindërtuar pasi tërmeti i ka shkatërruar godinën që kishte ndërtuar me mund e me djersë. Këto 2 vite, Leti i tregon si aspak të lehta për të, por për fat të mirë patën një fund të lumtur.
“Asqeri Leti, kemi vuajtur këto 2 vjet, merrnim një shtëpi, e ngrinin qiranë, nja 3-4 muaj kemi ndenjur në Shëngjin. S’kishim spitale, shko në Lezhë, ka 2 muaj që ka bërë operacionin, shyqyr që i morëm, faleminderit duhet me iu thënë, jemi të kënaqur, që morëm çelësat, nuk e prisja që do merrnim çelësat, se na thanë do e merrnim në nëntor, kaloi nëntori, iku dhjetori dhe tani në shkurt. Tani do marrim tesha dhe do flemë këtu”, tha ai për gazetarin e Report Tv, Elvis Hila.
Asqeri Leti është një nga 522 familjet që sot kanë marrë çelësat e shtëpisë së re në zonën 1/1 të Laçit. Ky proces mbyllet sot për këtë zonë, e ndërsa ka ende familje që vijojnë të jenë me qira. Bëhet fjalë për ato familje që kanë zgjedhur të marrin grantin e ta rindërtojnë vetë banesën e tyre. Detajet i dha kryebashkiakja e Kurbinit, Majlinda Cara.
“Ditën e djeshme ka përfunduar një pjesë e bllokut të pallateve dhe tani përfundojmë në total të gjithë zonën 1/1 prej 522 apartamenteve. Sa i përket banesave individuale, tashmë në Kurbin 218 familje kanë preferuar që të marrin grantin vetë dhe të ndërtojnë vetë banesën e tyre, rreth 112 jemi në proces të përfundimit të tyre dhe pjesa tjetër po aplikojnë për leje ndërtimi, një pjesë e mirë e banesave 225 të tjera ka filluar procesi i rindërtimi, njësi zbatuese Kurbin dhe ka filluar edhe ndërtimi”, tha Cara.
Programi i Rindërtimit investoi në ngritjen e lagjes së re qendrore të qytetit të Laçit, me 522 apartamente, 37 njësi shërbimi, 375 vendparkime, qendër tregtare, njësi shërbimi e infrastrukturë me standarde urbane të cilësisë së parë. Ceremonia e inagurimit të lagjes së re u bë me 17 janar, me praninën e presidentin turk Recep Tayyip Erdogan.