ITALI- Kur përmendet emri i Kledi Kadiut, prezantimi nuk është i nevojshëm, pasi ai është balerini që ka frymëzuar breza të tërë, por sot ka shërbyer edhe si shembull i një prindi që i ka dhënë çdo kujt forcë që është përballur me problemin e tij. Në një rrëfim të sinqertë, së bashku me bashkëshorten e tij, Charlotte Lazzari ata kanë treguar se djali i dytë, Gabriel shfaqi probleme serioze pas lindjes, e për ta këtu nisi një betejë e vështirë.
“13 ditë pas lindjes, Gabrieli ka shfaqur ethe dhe konvulsione të rënda, shprehje e një diagnoze mjaft komplekse: meningo-encefaliti”, një proces inflamator i sistemit nervor që prek meningjet dhe trurin, si “fillimi i një sprove që na ka vënë vërtet në provë”. Fëmija mbijetoi dhe “pasi hapi sytë, hap pas hapi dhe me guximin e heroit, përdori të gjitha forcat për të rimarrë atë që i mori kjo ngjarje e paparashikuar”, rrëfeu Kledi.
Këtë histori, nuk e zgjodhën rastësisht për ta treguar në televizion.
“Kemi ardhur këtu me një mesazh. Mendojmë se ndoshta zëri i prindërve arrin më shumë se ai i mjekëve, Shpresojmë të jemi frymëzues”, tha Charlotte.
Gabrieli kaloi një muaj e gjysmë në terapi intesive dhe ka qenë në rrezik për jetën, por më pas ai u shndërrua në heroin e prindërve të tij.
“Mjekët na thanë këtë Gabrieli rrezikoi jetën e tij. Ai na dha forcë dhe na mësoi të ecnim përpara. Ai është heroi ynë”, tha Charlotte.
“Gabrieli i vogël filloi menjëherë një proces rehabilitimi “nëpërmjet lojës dhe stimulimit të synuar. Nuk duam të fshihemi pas fjalëve duke pretenduar se gjithçka është e lehtë”, nënvizoi Kledi.
Pavarësisht vështirësive të shumta që kaluan, por edhe sfidave që i pret në të ardhmen, dyshja e prindërve kanë besim dhe shpresë se Gabrieli do ia dalë dhe në këtë “luftë”, dashuria e prindërve nuk do i mungojë.