Kandidati i Partisë Demokratike, Ilir Alimehmeti, ka folur për zhvillimet e fundit paszgjedhore të 11 majit. Alimehmeti u pyet në studion e Report Tv nëse duhet të dorëhiqet Berisha pas humbjes që shihet deri tani në rezultatin e numërimit nga Partia Demokratike.
Kandidati i PD-së për Tiranën nuk ka dhënë një përgjigje të drejtpërdrejtë, ai ka thënë se kjo çështje duhet të diskutohet në forume dhe se ai nuk e ka tagrin për të dhënë këtë përgjigje.
Nga ana tjetër, Alimehmeti ka thënë se është i bindur se do ta marrë mandatin në Tiranë.
"Pavarësisht se si shkon përfundimi final, do të ketë një analizë nga forumet më të larta të partisë. “Unë jam anëtar i Këshillit Kombëtar. Në radhë të parë, ju e dini që thirret kryesia, pra kryesia diskuton dhe sjell pjesën e vet, e më pas e sjell ose në Kuvend Kombëtar, ose në Këshill Kombëtar. Kështu që do të presim zhvillimet në këtë drejtim; nuk do të marr tagër unë për të folur në këtë drejtim. Interesi im në këtë moment është sa më shumë votë për PD-në në qarkun e Tiranës. Shumë analistë na kanë thënë se s’marrim më shumë se 12 mandate, ndërkohë rezultati sot tregon të kundërtën – analistët duhet të na kërkojnë falje.”-tha Ilir Alimehmeti, kandidat i PD për Tiranën.
Komente
