Lulzim Basha me aleatët e djathtë

Pyetja 1 milionëshe për Lulzim Bashën

21 Janar 2019, 11:08| Përditesimi: 21 Janar 2019, 11:12

  • Share

Gjatë tetë vjetëve që Berisha ishte kryeministër, Edi Rama provoi me të gjitha mënyrat t’ia zinte vendin, nga më gandistët tek më jakobinët. Në katër vjetët e para, ai anoi nga gandizmi. Për shembull, pasi shpërtheu Gërdeci, Rama i shtrëngoi dorën Berishës në dyert e Spitalit Ushtarak, ku ishin sjellë të plagosurit e shumtë të asaj tragjedie. Dhe ambasadori amerikan e quajti burrë shteti për atë gjest, meqë Shqipëria ishte në prag të anëtarësimit në NATO. Një opozitë agresive në ato çaste mund ta kishte penguar atë anëtarësim.

Pas Gërdecit, Rama bëri edhe një marrëveshje të rëndësishme me Berishën, për ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe të Kushtetutës, me bindjen se do t’i fitonte zgjedhjet, duke mënjanuar njëkohësisht LSI-në nga pretendimet për pushtet. Por në zgjedhjet e 2009-ës, Rama as e mori dot pushtetin dhe as e mënjanoi dot LSI-në prej tij. Kjo e fundit u bashkua me PD-në në pushtet, duke u bërë nga dita në ditë më e fuqishme.

I djegur nga ajo strategji, Rama filloi protestat e përjavshme. Madje ai ngriti dhe një çadër para Kryeministrisë, ku u ngujuan për 40 ditë deputetë dhe militantë të PS-së. Kjo strategji jakobine kulmoi me 21 janarin e 2011-ës, ku duke iu referuar revolucionit francez dhe atij amerikan, u aludua se populli i përgjigjet tiranisë me revoltë, kur i mohohet e drejta ta ndryshojë pushtetin me votë të lirë (pretendimi i Ramës ishte se zgjedhjet i kishte fituar në realitet, por kjo e vërtetë ishte fshehur në kutitë e votimit, që nuk i hapte Berisha).

Pavarësisht përpjekjeve jakobine, Rama u detyrua të futej në zgjedhjet e 2011-ës, ku humbi edhe zgjedhjet e Tiranës (me disa vota fantazëm të gjetura në bodrumin e KQZ-së). Dhe përsëri ai iu rikthye metodave jakobine, me bllokime rrugësh, me djegie gomash makinash dhe me protesta në bulevard.

Po kur e pa që nuk merrej dot pushteti me metoda të tilla, mendoi sesi të grumbullonte rreth PS-së një koalicion me epërsi të padiskutueshme ndaj atij të Berishës. Dhe nga llogaritë që bëri, i doli se një koalicion i tillë duhej të kishte patjetër në përbërje LSI-në. Dhe pasi lëpiu të gjitha pështymat e lëshuara ndaj Metës, bëri koalicion me të, duke ngrënë ngjala në Gjirin e Lalzit… Ajo lëvizje e papritur u përkthye në 1 milion vota për koalicionin e udhëhequr nga PS-ja.

Në mënyrë të ngjashme, në katër vjetët e para të qeverisjes së Ramës, Lulzim Basha provoi me të gjitha mënyrat t’ia zinte vendin, nga më gandistët tek më jakobinët. Në dy vjetët e para, Basha zhvilloi disa parakalime paqësore në bulevardin kryesor të Tiranës, me shpresën se do të jepte mesazhin se në krye të PD-së tani kishte ardhur një politikan me kostum perëndimor.

Po kur humbi zgjedhjet e 2015-ës, zëri i tij u trash dhe protestat në bulevard u bënë të ashpra. Dhe ato kulmuan me ngritjen e një çadre para Kryeministrisë (siç kishte bërë dikur Rama). Sipas Bashës, nuk mund të shkohej në zgjedhje, për sa kohë ishte kryeministër Rama. Por njësoj si Rama në 2011-ën, ai u detyrua të futej në zgjedhjet e 2017-ës, edhe pse Rama vazhdoi të mbetej kryeministër gjatë tyre. Madje, Basha bëri edhe një marrëveshje me Ramën, që dukej penalizuese për partitë e vogla dhe sidomos LSI-në (siç dikur kishte bërë marrëveshje Rama me Berishën).

Pas një periudhe relativisht të qetë qysh prej humbjes së thellë të 2017-ës, Basha u është rikthyer përsëri thirrjeve jakobine. Duhet krijuar një qeveri kalimtare (pa Ramën në krye), që ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme, kjo është motoja aktuale e Bashës. Një moto e stërpërdorur nga opozitat në Shqipëri, por që ishte e suksesshme vetëm në vitet ’90 dhe që s’duket se do të jetë e suksesshme më.

Në qoftë se do t’i zërë vendin Ramës, Basha duhet të studiojë strategjinë e këtij të fundit për ardhjen në pushtet. Me pak fjalë, ai duhet ta vrasë mendjen s si të grumbullojë rreth PD-së një koalicion me epërsi të padiskutueshme ndaj atij të Ramës. Partitë e djathta (të marra së bashku) kanë arritur deri në nivelin e 750 mijë votave në dekadën e fundit (më 2009-ën). LSI-ja ka arritur deri në nivelin e 260 mijë votave në të njëjtën dekadë (më 2015-ën). Në qoftë se këto parti do t’u rikthehen niveleve të tyre rekord, do të bënin së bashku 1 milion vota, aq sa iu deshën Ramës për t’i zënë vendin Berishës…

Dhe pyetja për Bashën është nëse do të jetë i zoti të koagulojë një koalicion të madh 1-milionësh. Sepse me thirrje e metoda jakobine, nuk ka gjasa të vijë ndonjëherë në pushtet…(AFP.al)

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?