Demet ne kanalin Ibër-Lepenci

PYETJE PERGJIGJE/ Çfarë dihet deri më tani lidhur me sulmin ndaj kanalit të ujit të Ibër-Lepencit? Kush janë 'Mbrojtja Civile', 'Brigada Veriore' dhe roli i Radoiçiç

30 Nëntor, 13:39| Përditesimi: 30 Nëntor, 14:00

  • Share

1- Çfarë ka ndodhur?

Një shpërthim që ka ndodhur mbrëmjen e 29 nëntorit 2024 në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut që dëmtoi kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, që furnizon me ujë disa qytete dhe termocentralet e vendit nga liqeni i Ujmanit në veri. Nga shpërthimi nuk pati viktima, por kanali pësoi dëme të mëdha duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike dhe furnizimit me ujë gjatë gjithë natës. Shpërthimi ndodhi rrethj orës 19:00. Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçkla deklaroi se flitet se është përdorur një sasi e madhe eksplozivi për ta hedhur në erë,  rreth 15 kg eksploziv se dhe po punonin me KFOR e EULEX për hetimet

2- Kur ndodhi shpërthimi?

Shpërthimi në Zubin Potok ndodhi disa orë pasi Policia e Kosovës njoftoi se kishte shtuar masat e sigurisë në nivel vendi, përfshirë në pjesën veriore të banuar me shumicë serbe, ku ditëve të fundit kanë ndodhur disa incidente me mjete shpërthyese.

    3-  Kë akuzon Kosova?

    Në një komunikatë pas mbledhjes së jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurisë, mbrëmjen e djeshme qeveria deklaroi se “indikacionet e para sugjerojnë se ky sulm i radhës është orkestruar nga shteti serb, i cili ka kapacitete për një sulm të këtillë kriminal e terrorist. Elemente të organizatave terroriste “Mbrojtja Civile” e “Brigada Veriore” dhe kryekrimineli Millan Radoiçiç nën dirigjimin e Presidentit dhe Qeverisë së Serbisë planifikojnë e ushtrohen në Serbi për sulme të këtilla profesioniste”.

    "Mbrojtja Civile" dhe "Brigada e Veriut", që iu referua Këshilli, u shpallën organizata terroriste nga Qeveria e Kosovës qershorin e vitit të kaluar, ndërsa Radoiçiç, politikan dhe biznesmen nga veriu i Kosovës, e mori përgjegjësinë për sulmin e vitit të kaluar kundër Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë një efektiv policie.  Autoritetet në Kosovë kanë ngritur aktakuzë ndaj tij dhe 44 personave të tjerë për atë sulm, ku u vra një rreshter policor dhe tre sulmues. Në komunikatë, Qeveria e ndërlidhi sulmin ndaj kanalit të Ibër-Lepencit edhe me sulmet që ushtria ruse është duke i kryer pareshtur ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës. “U vu në pah edhe ndërlidhja e gjasshme me sulmet e Rusisë agresore në Ukrainë mbi kapacitetet energjetike gjatë kësaj jave duke lënë mbi një milion amvisëri ukrainase pa energji elektrike pikërisht në prag të dimrit”, tha ajo.

    4- Çfarë thotë Serbia?
    Serbia ka mohuar përfshirjen në sulmin ndaj kanalit të Ibër-Lepencit në veri të Kosovës, duke e dënuar shpërthimin si “të papranueshëm dhe të patolerueshëm”. Ajo ka theksuar se ky akt “në mënyrën më të drejtpërdrejtë” rrezikon nevojat themelore jetësore të popullit serb në Kosovë. Gjithashtu është shprehur e gatshme të japë fonde për ta riparuar.  Edhe Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit, e ka dënuar dëmtimin e kanalit të ujit në fshatin Varragë.

    5- Çfarë furnizon me ujë kanali Ibër Lepenci?
    Nga sistemi i Ibër-Lepencit në Ujman, në Zubin Potok, furnizohen me ujë të pijshëm veriu i Kosovës, por edhe Prishtina me rrethinë. Ky hidrosistem furnizon gjithashtu me ujë termocentralet në Obiliç, që përdoret për ftohjen e termocentraleve Kosova A dhe Kosova B. Përveç kësaj, uji nga liqeni akumulues i Ujmanit përdoret edhe për ujitjen e sipërfaqeve bujqësore. Si pasojë gjatë natës shumë pjesë të Kosovës mbeten pa energji elektrike deri në mëngjesin e 30 nëntorit, shumë mbetën pa ujë të pijshëm disa qytete dhe një pjesë e kryeqytetit, Prishtina. Ndërkohë të shtunën njoftoii se është siguruar furnizimi i rregullt me energji elektrike për vendin dhe ngrohje qendrore për qytetarët e kryeqytetit.

    6- Çfarë është Ibër-Lepenci?
    Ndërmarrja Hidroekonomike “Ibër-Lepenc” është shoqëri aksionare me seli në Prishtinë dhe është ndërmarrje shumëfunksionale e cila furnizon industrinë, ujësjellësit dhe bujqësinë me ujë të papërpunuar si dhe prodhon energji elektrike nga Hidrocentrali i Ujmanit. Bazuar në dokumentet qeveritare, nga sistemi i Ibër-Lepencit në Ujman në Zubin Potok, me ujë të pijshëm furnizohet veriu i Kosovës, por edhe Prishtina me rrethinë. Ky hidrosistem gjithashtu furnizon me ujë termocentralet në Obiliq, që përdoret për ftohjen e termocentraleve Kosova A dhe Kosova B, ndërsa përveç kësaj, uji nga liqeni akumulues i Ujmanit përdoret edhe për ujitjen e sipërfaqeve bujqësore. Vetë kanali Ibër-Lepenc ka një gjatësi prej 49 kilometrash – nga liqeni i Ujmanit deri në Prishtinë dhe përfundon në liqenin e Badocit afër Prishtinës. Nga Ujmani furnizohen me ujë 7 komuna, në jug dhe veri të lumit Ibër; Mitrovica e Jugut dhe e Veriut, Zveçani, Vushtrria, Gllogoci, Skenderaj dhe një pjesë e Prishtinës. Pos tyre, termocentralet Kosova A dhe B, Trepça dhe Ferronikeli varen tërësisht nga furnizimi me ujë nga ky liqe artificial. Po ashtu, prodhohen edhe 32 Megavat (MË) rrymë në hidrocentralin e Vallaçit,shkruan REL.

    7- Çfarë po ndodh tani?
    Mbrëmë Këshilli i Sigurisë ka aprovuar masa shtesë për të forcuar sigurinë rreth objekteve dhe shërbimeve kritike si ura, trafostacione, antena, liqene, kanale etj. Policia e Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës do të aktivizohen në terren për këtë qëllim. Po ashtu është intensifikuar bashkëpunimin ndërinstitucional dhe ai ndërkombëtar për të parandaluar sulme të ngjashme në të ardhmen. Policia e Kosovës ka bastisur Zubin Potokun ku mësohet se ka ushtruar kontrolle në banesa si dhe ka disa të arrestuar.

    8- Pse forcoi masat e sigurisë qeveria
    Sulmi ndaj Ibër-Lepencit ishte i treti brenda 72 orëve të fundit në veri të vendit, i banuar me shumicë serbe, pas shpërthimeve që ndodhën në një stacion policor dhe në ndërtesën e Komunës në Zveçan. Katër komunat në veri të Kosovës – Zubin Potoku, Zveçani, Leposaviçi dhe Mitrovica e Veriut - udhëhiqen nga kryetarë shqiptarë, pasi serbët dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës dhe bojkotuan zgjedhjet lokale të mbajtura vitin e kaluar.

    9- Si po reagojnë ndërkombëtarët?
    Sulmi u dënua nga ndërkombëtarët të cilët shprehën gadishmërinë për të ndihmuar në një hetim të shumëanshëm për këtë ngjarje

     

    1732970235_kosove.jpg

    Harta: Trim Haliti/Radio Evropa e Lirë

    S.G//ReportTv.al
    Komento
    • Sondazhi i ditës:

      A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?