Njerëzit vajtojnë pranë arkivolëve në fshatin Morane afër Shkupit

'Qante në shi, teksa varroste 10 familjarët e tij', Reuters sjell historinë e shqiptarit që humbi gjithë familjen në aksidentin tragjik të Bullgarisë! E shpëtoi rastësia

4 Dhjetor 2021, 13:25| Përditesimi: 4 Dhjetor 2021, 15:08

  • Share

Qindra vajtues u mblodhën dje në një varrezë në një fshat në Maqedoninë e Veriut, në një shi të ftohtë, për të përcjellë për në banesën e fundit, 10 banorë vendas, përfshirë 8 nxënës, të cilët ishin mes 45 personave që humbën jetën nga aksidenti tragjik në Bullgari. Të gjitha viktimat, shqiptarë të Maqedonisë së Veriut! Gabimi njerëzor ishte ndoshta shkaku kryesor i aksidentit, thanë hetuesit bullgarë!

Arkivolët e gjelbër me 10 viktima u ulën në varrezat e fshatit Morane! Të gjithë familjarë të Enver Jahit; 4 fëmijët e tij, gruaja, kunata e tij dhe dy fëmijët e saj, dhe dy fëmijët e njërës prej motrave të Jahit, të gjithë banorë të fshatit.

Arlinda Vlashi, mësuesja e Omer Jahit, 11 vjeç, i cili u varros pranë tre vëllezërve dhe motrave të tij dhe nënës së tyre, erdhi për t’i dhënë lamtumirën nxënësit të saj. "Si mund të shkoj në klasë tani kur nuk e shoh atë?" tha ajo me lot.

“Unë isha mësuesja e re e Omerit kur ai filloi klasën e gjashtë (në shtator). Ai ishte një djalë shumë i mirë, shumë i mençur, shumë i sjellshëm dhe mësonte shpejt.”- tha ajo.

Enver Jahi, i cili nuk shkoi në udhëtim për në Stamboll, sepse duhej të drejtonte restorantin e familjes, qëndronte duke qarë në shi, ndërsa varroseshin arkivolet, pasuar nga lutjet e imamit.

“Ky ishte një lajm shumë i keq për ne. Jo vetëm për mua, por për të gjithë fshatin”, tha Nuredin Bajrami, një fqinj i familjes Jahi. “Ne i njihnim shumë mirë, kishin edhe një restorant dhe njerëzit i vizitonin shumë shpesh. Ata ishin njerëz shumë të mirë.”

Trupat e viktimave të tjera të aksidentit mbërritën me dy avionë ushtarakë bullgarë të premten pasdite në aeroportin e kryeqytetit të Maqedonisë së Veriut, Shkupit. Ata u varrosën në varreza të ndryshme në të gjithë vendin ballkanik gjatë pasdites.

Autobusi, që transportonte turistë në Maqedoninë e Veriut pas një udhëtimi fundjavë në Stamboll, mori flakë në një autostradë në orët e para të 23 nëntorit, dhe për pasojë humbën jetën 45 shqiptarë të Maqedonisë së Veriut.

*Përkthyer nga Reuters

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?