Arian Popa, 38-vjeç dhe Herolind Sadikaj, 21-vjeç, janë arrestuar nga policia e Shkodrës, pasi janë kapur duke qarkulluar me armë zjarri në makinë. Arian Popa ishte në kërkim për kultivim kanabisi e armëmbajtje.
Sipas policisë në rrugën dytësore të fshatit Bajzë, Malësi e Madhe, është ndaluar për kontroll drejtuesi i makinës tip “Volkswagen” me drejtues Arian Popën dhe pasagjer Herolind Sadikajn.
Pas kontrollit policia ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri automatik, me silenciator, dylbi të montuar dhe me krehër me 21 fishekë.
Në përfundim të veprimeve, u ndalua shtetasi Arian Popa, 38 vjeç, banues në Shirokë, Shkodër, i shpallur në kërkim pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, me vendimin e datës 19.06.2022, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe e municionit luftarak”, në kuadër të veprimeve procedurale për operacionin “Vallas”.
Gjithashtu u arrestua në flagrancë pasagjeri në automjetin që drejtonte 38-vjeçari, shtetasi Herolind Sadikaj, 21 vjeç, banues në Gjakovë, Kosovë, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe e municionit luftarak” dhe "Përkrahja e autorit të krimit”.
Vijon puna për kapjen e personave të tjerë që janë shpallur në kërkim në kaudër të operacionit “Vallas”.