Ergys Dashi

Qarkullonin drogën nga Amerika Latine në Europë, arrestohet 26-vjeçari në Tiranë! Pjesë e grupit të Ergys Dashit që u ekzekutua në Ekuador

9 Prill 2022, 09:49| Përditesimi: 9 Prill 2022, 11:54

  • Share

TIRANË- Stivi Filoli, 26-vjeç i shpallur në kërkim ndërkombëtar, për si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal është arrestuar në Tiranë në rrugën ‘Haxhi Dalliu’. Burime për Report Tv bëjnë me dije se Stivi Filoli është pjesë e grupit të Ergys Dashit, të cilët qarkullonin drogën nga Amerika Latine në Europë, grupi i të cilit u godit disa ditë më parë në Itali, ku u ndaluan 11 persona. I riu u arrestua në kuadër të një operacioni ndërkombëtar të koduar “Grand Tour”, për veprat penale "Grup i strukturuar kriminal" dhe "Trafikimi i narkotikëve".

‘Ky operacion është finalizimi i një hetimi të nisur nga Njësia Hetimore e Karabinierëve të Torinos, Itali, kundër një grupi të organizuar kriminal, me aktivitet në disa shtete të ndryshme. Hetimet janë koordinuar nga zyra e Prokurorit Publik të Drejtorisë Antimafia, autoritetet sllovene dhe EUROJUST. Edhe në këtë operacion, Policia e Shtetit tregoi besueshmëri dhe profesionalizëm, duke u radhitur si e barabartë me policitë homologe që ishin pjesë e operacionit.’- njofton policia.

Kush ishte Ergys Dashi?
Ergys Dashi kishte lidhje me Plarent Dervishaj, kunati i Lul Berishës dhe Eldi Dizdarin, të dy të shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe të strehuar në Dubai, si vendi ku strehohen kriminelët shqiptarë për shkak se qeveria shqiptare nuk ka marrëveshje ekstradimi me autoritete në Dubai. Dervishaj ka qenë i akuzuar si anëtar i bandës së Durrësit, ndërsa Eldi Dizdari njihet për lidhjet mes bosëve të drogës në Amerikën Latine dhe kishte lidhje shumë të forta me Ndraghetën. 

E madje, Dashi në vitin 2014 është arrestuar nga policia italiane po për kultivim droge, si pjesë e një operacioni që çoi prapa hekurave 32 persona. Trafiku i heroinës drejtohej nga shqiptari Ergys Dashi, në atë kohë vetëm 25 vjeç, i cili përfundoi pas hekurave pas një hetimi 3-vjeçar nga autoritete italiane në Pulia. Transporti i drogës, heroinë e cilësisë së shkëlqyer, bëhej përmes makinave të modifikuara. Droga shitej me një çmim konkurrues, si për të lejuar fitime të mëdha për ata që e blenë. 

Si u ekzekutua Ergys Dashi?
Ekzekutimi ka ndodhur 22 janar në orën 19:00, kur një nga autorët ka hyrë brenda lokalit me synimin për të ekzekutuar Ergys Dashin, ndërsa tjetri e priste jashtë me motor për ta larguar. Autori mbante një buqetë me lule në duar, për t'u ruajtur nga kamerat e sigurisë së barit, dhe teksa i është afruar me vrap tavolinës ku ndodhej Dashi ka nxjerrë armë dhe ka qëlluar për vdekje durrsakun, ndërkohë që miku në tavolinë me Dashin ka tentuar të qëllojë autorin me karrige, por është zmbrapsur pasi autori vijonte të qëllonte me armë edhe teksa largohej me vrap jashtë lokalit. Në momentin e ekzekutimit, ka pasur edhe klientë të tjerë në lokal, të cilët kanë mbetur të tmerruar nga breshëria e armës. Në vendngjarje, ekspertët e kriminalistikës kanë grumbulluar mbi 20 gëzhoja. Sipas mediave në Ekuador, dyshohet se Dashi është i përfshirë në trafikun e kokainës dhe se prishja e pazareve të drogës të jetë shkak i ekzekutimit të tij nga bandat rivale. 

Ora 11:49
Goditja e grupit të Ergys Dashit, zbulohet kush janë 11 shqiptarët e arrestuar për trafik droge nga Amerika Latine drejt Europës

Dy ditë më parë, policia italiane goditi grupin trafikut të drogës së të shqiptarit, Ergys Dashi, i cili u vra në janar të këtij viti në Ekuador.

Gjatë operacionit në Torino të Italisë u arrestuan 11 persona, ndërsa janë shpallur në kërkim disa të tjerë. Konkretisht janë arrestuar, Astrit Bajraktari, Mariglen Haderi, Rako Plaku, Andi Prifti, Alfred Muçaj, Edmond Dashi, Stivi Filolli (u arrestua në Tiranë), Odise Leka, Ismet Ceka, Rigels Yzeiraj, Alban Yzeiraj. Po ashtu janw arrestuar edhe Bedrana Ahmic, Marek Michal Koëalczyk, Marta Obara dhe Saverio Girgenti.

Në total nga ky grup janë sekuestruar mbi 80 kg kokainë. Ndërkohë sipas mediave italiane koka e këtij grupi ishte Ergys Dashi i ekzekutuar më 22 janar në Ekuador.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?