SHKODËR- Safet (Rustem) Bajri i njohur si anëtar i bandës së Shkodrës është shoqëruar këtë mbrëmje në komisariat pasi u ndalua teksa lëvizte me një automjet të blinduar pa autorizim përkatës.
Automjeti tip “Mercedes Benz” nuk ishte i pajisur me autorizim të lëshuar nga organi kompetent dhe për këtë arsye është bllokuar. Vetë Bajri që e drejtonte është gjobitur dhe më pas është lënë i lirë.
Ndërkaq policia njofton se kanë nisur procedurat për konfiskimin e makinës.
"Shërbimet e Policisë, gjatë zbatimit të planit të masave për parandalimin e kriminalitetit dhe për goditjen e paligjshmërive, në qytetin e Shkodrës, shoqëruan në ambientet e DVP Shkodër, një automjet të blinduar. Pas verifikimeve rezultoi se drejtuesi i automjetit, shtetasi S. B. alias S. R., banues në fshatin Dobraç, Shkodër, qarkullonte i papajisur me autorizim të lëshuar nga organi kompetent. Drejtuesit të automjetit iu vendos masë administrative, konform Kodit Rrugor, si dhe u zbatua masa plotësuese për bllokimin e automjetit tip “Mercedes Benz” dhe do nisin procedurat e konfiskimit", njofton policia.
Safet Bajri është i akuzuar si kreu i një grupi kriminal që kryente trafik droge, vrasje dhe trukim ndeshjesh.