Qatip Osmani, trajner i Vllaznisë

Qatip Osmani, zotëria që nderon qytetarinë shkodrane

13 Mars, 19:07
  • Share

31 tetor 2023, kjo është data kur për Vllazninë nisi një kapitull i ri me Qatip Osmanin në stol. Shqiptari nga Maqedonia e Veriut pranoi të zëvendësonte Migen Memellin e larguar për mungesë rezultatesh.

Në katër muaj, trajneri Osmani e ka drejtuar Vllazninë në 20 ndeshje dhe ia ka dalë të grumbullojë 2.15 pikë mesatare për ndeshje. Dy pikë larg kreut që mbahet nga Egnatia dhe me një fazë të plotë në dispozicion, zotëria i stolit ka kthyer besimin në Shkodër, gjë që u duk me më shumë se 12 mijë tifozë në stadium në Klasikën e fituar 3-1 kundër Tiranës në "Loro Boriçi".

"Zotëri", kjo është fjala për mund ta përshkruajë Qatip Osmanin, që së bashku me Bashkim Livorekën si krah të djathtë ia dolën të kthejnë "në shina" një sezon që nuk nisi mirë për kuqeblutë.

Duket se presidenti Alban Xhaferi ka goditur në shenjë duke i besuar përvojës së madhe të Osmanit në stol. Veç anës teknike, me qetësinë e tij Qatipi riktheu klimën e mirë në dhomat e zhveshjes dhe jo më kot Vllaznia ka 15 ndeshje radhazi që shënon të paktën një gol.

Veç Superligës dhe zonës "Final 4" që duket se është siguruar, Vllaznia është edhe në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë dhe përballë gjen Egnatian, në fazën me dy ndeshje.

Në garë për dy trofetë, veç profesionalizmit të padiskutuar të Qatip Osmanit, edhe qetësia që trajneri përcjell te lojtarët ka bërë që rezultatet në fushë të jenë të rëndësishme për shkodranët.

Si një "fidanishte" e kahershme e futbollit shqiptar, trajneri i ka dhënë mundësi të rinjve të jenë pjesë e formacionit. Antonio Delaj, Geralb Smajli apo Rejan Alivoda dhe portieri 18-vjeçar Aron Jukaj s'kanë pse largohen nga vendlindja për të kontribuar me ekipe të tjera, duke gjetur minuta të rëndësishme këtë sezon.

Me Qatip Osmanin në stol dhe me një Akademi për t'u lavdëruar, te Vllaznia ndryshimi i strategjisë për elementin vendas pa shpenzuar shumë ka dhënë rezultat. Për mos u anashkaluar edhe 18 golat e kapitenit Bekim Balaj që është "rinuar" me skemën e Osmanit.

"Zotëria" i stolit i ka dhënë provat duke shpallur tre herë kampion Shkëndijën e Tetovës dhe më shumë se fjalët sheh punën, të njëjtën punë që e nisi duke mbajtur bashkë hallkat e klubit për një rezultat të prekshëm. Epo, qytetarisë shkodrane i duhej një zotëri si Qatip Osmani.

S.Dh/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?