Qazim Kërtusha, skulptori i parqeve të qytetit bregdetar

19 Prill 2022, 08:26| Përditesimi: 19 Prill 2022, 08:33

  • Share

Skulptori Qazim Kërtusha javën  e ardhshme do të hapë një ekspozitë në kryeqytet. Pas 6 ekspozitave që janë përuruar në Durrës, artisti i njohur do të paraqitet në Tiranë me 35 punime të kohëve të fundit.

Qazim Kërtusha është një artist që e do vendlindjen. Një pjesë e madhe  e veprave të instaluara në parqet e lulishtet e Durrësit mbajnë firmën e tij.

Megjithëse mjaft punime të skulptorit janë larguar nga vendi i instalimit si pasojë e zbatimit të projekteve publike nga bashkia, veprat e tij kushtuar John Lennon, Dom Nikoll Kaçorri, shatërvani me mozaik etj. përmenden nga qytetarët për tematikën dhe cilësitë artistike.

Kërtusha ka realizuar dhjetra skulptura parku që kanë zënë vend në Durrës, Fushë Krujë, Kavajë, Pejë (Kosovë), Verona e Sardenjë (Itali), Vjenë (Austri), etj., ndërsa është pjesmarrës në disa ekspozita personale dhe kolektive brenda dhe jashtë vendit. Monumenti i presidentit amerikan Xhorxh Bush; Maska kushtuar artistëve durrsakë në shekuj; busti i luftëtarit të UÇK, Indrit Cara në Kavajë, monumenti I Haxhi Zekës në Pejë apo ai i aktorit me famë botërore Alaksandër Moisiu në Vjenë janë disa nga punimet e Kërtushës nëpër Shqipëri dhe nëpër Evropë.

Skulptori 69-vjeçar nuk resht së punuari edhe për të ardhmen.

Arkeologu Vangjel Toçi; princi mesjetar i Durrësit, Karl Topia; tre miqtë klerikë të viteve 1940, Mustafa efendi Varoshi,  At Vincens Prendushi dhe At Erazmi Jorgo si dhe grupi i deputetëve antikomunistë të pushkatuar në vitin 1946 janë pjesë e planeve të afërta të skulptorit Qazim Kërtusha, veprimtaria e të cilit meriton vëmendjen e atyre që kërkojnë një qytet më të bukur e më tërheqës për të ardhmen.

Nga shkumësat te monumentet

Qazim Kërtusha është një nga artistët durrsakë që kanë studiuar në Institutin e Lartë të Arteve pa diplomën e shkollës së mesme artistike.

“Nuk jam I vetmi-thotë ai. Disa instrumentistë, aktorë, kompozitorë e piktorë të njohur të qytetit tonë janë përgatitur në shkollat e mesme të përgjithshme dhe në mjediset kulturore të qytetit, ku më së shumti shquante studioja e skulptorit Sabri Tuçi. Aty ishte pikëtakimi i Dhimitër Harallambit e Idriz Balanit, i Zef Ujkës, Myrvete Dajlanit, Ibrahim Reçit e Spiro Mazhes”.

Të njejtën klimë kishte krijuar edhe kompozitori Pjetër Dungu, që u bë një nga themeluesit e shkollës së muzikës.

Po Qazim Kërtusha si mbërriti në “Mekën” e pasionantëve durrsakë të viteve 1960?

“Gdhendja e shkumësave do të kishte kaluar pa u vënë re, nëse mësuesja e fillores Xhyhere Belshaku nuk do të mi ruante figurinat e vogla në fund të çdo ore mësimi. Kur babai më dërgoi në studio shkumësat e mij në dorën e Sabri Tuçit mu dukën tmerrësisht të vegjël përballë një monumenti që dukej në sfond”.

Çfarë kishte ndryshe në vendin ku mblidheshin fëmijët dhe të rinjtë durrsakë? “Çelësin e studios - qesh Qazimi. Çelësin mund ta merrje në çdo orë në berberhanen përballë. Ndoshta edhe nuk punoje, por bisedat për artin dhe kulturën të jepnin shumë kënaqësi. Po aq edhe karroca me veglat e punës që e shtynim plot hare në rrugicat pranë shtëpisë muze të Aleksandër Moisiut-tregon Qazimi për vitet kur brenda tij ngjizej dashuria për të bukurën, ndërsa e njejta ndjesi e bënte ta shihte ndryshe edhe qytetin e lindjes me 3000 vjet histori.

“Studio e Sabri Tuçit, krutanit që kishte studiuar në Romë, për ne ishte si “Shtëpia Riccordi”-nënvizon Qazimi, ndërsa nuk e fsheh respektin e pamatë për njeriun që me fjalë të thjeshta e humor të shëndetshëm i mësoi brezit të tij rëndësinë e komunikimit njerëzor dhe artistik si dhe lirinë e të menduarit.

Në studion e tij Qazim Kërtusha ruan si një relikt mjaft të çmuar pantografin, që i ka dhuruar mësuesi i parë Sabri Tuçi. Ndërsa me një grup shokësh dhe miqsh të hershëm kanë mbështetur ndërtimin e një monumenti simbolik pranë Torrës veneciane, punuar nga ish-nxënësi Idriz Balani për mësuesin e shtrenjtë.

Hekurishtet, copëza historish

Termin “reduktor” Qazimi e ka dëgjuar për herë të parë në shtëpi.

“Babai im, Fadili, ishte inxhinjer mekanik. Ai hoqi sahatin nga dora dhe më spjegoi parimin e ingranazheve që marrin shpejtësi të ndryshme. Disa javë më vonë e morra babain përdore dhe u ngjitëm në kodrën e Vilës aty ku edhe unë kisha gjetur “reduktorin tim” brenda kutisë së një topi të braktisur gjerman-tregon Qazimi, duke iu rikthyer mesit të viteve 1960.

“Ai mekanizëm që nuk funksiononte prej 20 vitesh u montua në një fabrikë të vogël çimentoje, ndërsa unë që nga ajo kohë kam fituar një ndjeshmëri të veçantë për të gjitha hekurishtet-vijon Qazimi tregimin për rrugën e tij drejt artit.

“Skrapi për mua ka gjithmonë një histori; çdo hekurishte e hedhur ka brenda vetes një kontribut djerse, që është shumë më me vlerë se pesha me të cilën ai shitet sot për pak lek”.

Qazim Kërtusha ka bindjen se kultura e përgjithshme e shkollës së mesme, formimi në studion e Sabri Tuçit dhe pasioni për mekanizmat e shfrytëzuar ia kanë lehtësuar balancën e studimeve të larta.

“Në fillim të viteve 1970, kur nisa studimet ishin krijuar pak hapësira të aplikimeve në arkitekturë dhe në skulpturën monumentale. Disa fasada hotelesh dhe institucionesh në Tiranë mbanin erë perëndimore, ndërsa pati studentë me “tendenca formalizante estetiste” që u vlerësuan për idetë e tyre”.

“Sigurisht, nuk zgjati shumë-kujton Qazimi efektet e plenumit partiak të vitit 1974, pasojat ndëshkuese të të cilit u ndjenë kudo.

Mangësitë në mjeshtërinë artistike te Qazimi i kompensonte kompozimi kreativ, pasojë e formimit fillestar, çka nuk kaloi pa u vënë re nga pedagogët e tij, Hektor Dule, Kristaq Rama e Thoma Thomai.

Skulptori I ri u diplomua me nota maksimale.

“Shkolla e Vangjel Toçit”

“Unë kam qenë me fat, pasi më emëruan në Muzeun arkeologjik të qytetit tim-tregon Qazimi. Kjo ishte shkolla e tretë dhe ndoshta më e rëndësishmja e jetës time profesionale-dëshmon skulptori për vitet intensive të punës nën drejtimin e arkeologut emblemë të Durrësit, Vangjel Toçi.

Kishte hyrë si restaurator në botën e antikitetit dhe mesjetës dhe një pjesë të mirë të jetës do ta kalonte duke restauruar monumente e objekte arkeologjike apo duke marrë pjesë në fushata të gërmimeve të rëbdëisshme për zbulimin e historisë së Durrësit.

Në vitet 1960-1970 në Durrës zbulohej Amfiteatri antic

; Sanktuari në kodrën Daute, një altar dhe një tempull, mozaikë dhe bazilika. “Ne ushqeheshim me art në çdo çast-vijon Qazimi. Edhe lulishtja e muzeut arkeologjik ishte një vepër artistike, me të gjitha llojet e luleve, për të cilat kujdesej veçanërisht drejtori”.

Profesor Vangjeli nuk ishte thjesht drejtori I Muzeut-nënvizon Qazimi. Ai ishte etaloni i ndershmërisë dhe i seriozitetit në punë. Vangjel Toçi ishte themelues i bibliotekës dhe galerisë së arteve dhe kishte afruar në muze artistët më të mirë të Durrësit, si Gavril Priftuli, Nelo LukaçI apo Nikolet Vasia.  

“Një pjesë të madhe të punimeve që paraqitnim në ekspozitat jubilare drejtori I blinte për fondet e Galerisë së Arteve dhe nuk u ndahej drejtuesve të atëhershëm deri sa ne të paguheshim për veprat artistike. Ishte një mënyrë për të na ndihmuar, pasi një pjesë e punonjësve të muzeut ishin familjarë-tregon Qazimi.

Skulptori Kërtusha tashmë e ka përgatitur veprën-memorial kushtuar Vangjel Toçit.

“ E ndjej si një borxh qytetar-thotë Qazimi, sipas të cilit edhe pa monumentet më të rëndësihëm të Durrësit gjenisë së Vangjel Toçit do ti mjaftonin zbulimet dhe studimet për onomastikën ilire.

Profesor Toçi zgjoi nga lashtësia emrat ilirë të shqiptarëve, më të cilët u “pagëzuan” në atë kohë qindra e mijra fëmijë në Shqipëri dhe në Kosovë.

Nga Ishmi i Kodrës, në Shijakun e gjyshit Cen Bulku

Ishmi dhe Shijaku janë vëndet e paraardhësve të Qazim Kërtushës.

“Më pëlqejnë pa masë kodrat e buta të Ishmit që bien në det. Ka një mister në ato brigje, që kanë një të shkuar historike ende të pazbuluar plotësisht”.

Kërtushës i vjen mirë që edhe Ibrahim Kodra, piktori i madh i shekullit të 20-të është “rikthyer” në vendlindje. Le të shpresojmë që të restaurohet edhe ballina e kalasë mesjetare, pranë të cilit ndodhet edhe Varri I Kodrës-vijon skulptori që ka kontribuar në krijimin e sheshpushimit që sheh nga njëra anë fushat e Thumanës dhe nga ana tjetër kodrat e Ishmit mbi bregdet.

E pyes për gjyshin Cen Bulku, mjekun popullor që e njeh e gjithë Shqipëria. “Është e vërtetë - konfirmon Qazimi. Kudo që shkonte për të ndjekur pacientët udhëtonte pa pagesë: e njihnin të gjithë!

Pastaj shton: “Babë Ceni kishte një dashuri të madhe për njerëzit. Kujtoj merakun e tij për ushtarët që u aksidentuan në një repart; kujtoj kujdesin e tij, sikur ti kishte fëmijë-dëshmon Qazimi.

“Kur gjysh Ceni vdiq, shtëpia ka mbetur e hapur për javë me radhe, por mbaj mend një grup të moshuarish që kishin mbledhur paratë për ti bërë një bust në Shijak.

Nuk do ta harroj sepse ishte tjetër kohë dhe bustet i blatoheshin tjetërkujt.

Tani që vitet kanë kaluar një koleg i imi ka përgatitur një bust për Babë Cenin e Shijakut”-shprehet Qazim Kërtusha.

Skulptori 69-vjeçar ka bindjen se veprat monumentale apo bustet e vendosura në lulishte dhe sheshe të qytetit krijojnë një toponimi të re.

Nëse ata që e kanë për detyrë kujdesen për to, gjitha veprat që vendosen në parqe, sheshe apo lulishte kanë shansin të bëhen adresa të reja, edhe pse nuk janë shënohen në regjistrat e postës. – përfundon artisti Qazim Kërtusha.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?