Foto ilustruese

Që politika të inkurajojë dijen dhe shkollën

10 Shtator 2023, 21:42| Përditesimi: 10 Shtator 2023, 21:44

  • Share

Një ndër problemet më të mëdha të shoqërisë sonë, është dekurajimi i arsimimit. Është një shoqëri e tërë që kontribuon në këtë drejtim, duke ngulitur modelin që nuk vjen nga shkolla dhe dituria. Adoleshentë që rriten me idhuj të rremë të muzikës së rrugës dhe të rrjeteve sociale, të cilët, përveçse promovimit të dhunës, agresionit, të banalitetit dhe të anormalitetit, nuk kanë asnjë vlerë tjetër.

Prindër që ushqejnë te fëmijët e tyre pasurimin e shpejtë, që nuk vjen nëpërmjet ngjitjes së shkallëve të dijes, por nëpërmjet zvarritjes në udhët e padijes dhe të paligjshmërisë. Politikë që nuk promovon modele suksesi nëpërmjet një karriere normale dhe të merituar, por ushqen vetëm modele shpinëkrusurish, që ‘vlerë’ të vetme kanë bindjen e verbër ndaj shefit të radhës. Nga intelektuale, politika jonë është shndërruar përditë e më shumë në antiintelektuale, duke u bërë armikja më e madhe e dijes, e mendimit dhe e njerëzve që artikulojnë mendim.

Nga një familje tradicionale, që besonte te vlerat dhe që shpresonte të rriste fëmijë me modelin e shkollës dhe të dijes, në përgjithësi, familja shqiptare është në krizë të thellë, duke e parë shkollën si ‘vend parkimi’ disa orë gjatë ditës për fëmijën, ose si trampolinë për marrjen e një diplome, ‘meqenëse askush nuk ka ngelur pa shkollë’. Sigurisht që ka edhe përjashtime nga këto modele, por ato nuk janë as meritë e politikës, as e ndokujt tjetër. Në këtë panoramë që shkon kundër dijes dhe arsimit, ka plot nxënës, të rinj dhe të reja, që besojnë te dituria, besojnë te shkolla, te dija dhe te suksesi që mund të vijë prej tyre.

Këta, përgjithësisht, janë të paktë në numër. Janë fëmijët më të urtë, janë djemtë dhe vajzat më të tërhequr, nga familje të thjeshta që nuk i rri kush te koka mëngjes e mbrëmje për të mësuar dhe për t’u ulur, nuk i llaston askush, duke i armiqësuar me mësuesit, por e ‘kanë merak vetë’, si bekim nga Zoti. Kam pasur fatin në gjthë këto vite të punoj me të gjithë llojet e fëmijëve, nga adoleshentët më problematikë, tek ata më të paqtët. Sigurisht që te secili prej tyre mund të zbulosh gjëra interesante dhe të veçanta.

Edukimi i tyre është diçka komplekse, që e tejkalon shkollën. Për edukimin më të mirë nevojitet bashkëpunimi i familjes, shkollës dhe hallkave të tjera të shoqërisë, përfshi edhe një politikë të mirë, e cila kontribuon në rritjen e cilësisë së arsimit në të gjithë dimensionet e saj. Në fillimin e këtij viti arsimor do ketë shumë hipokrizi nga politika, do ketë shumë urime dhe fshehje të së vërtetave, duke i ikur problematikave dhe duke mos u përballur me to, mirëpo një gjë e tillë jo vetëm që nuk do t’i shërbejë përmirësimit të gjendjes së shkollës sonë, por do t’i thellojë edhe më shumë problemet. Nga ana tjetër, do kemi mësues që do ndihen të trysnuar dhe të frikësuar për vendin e punës, nuk do t’i bëjnë publike shqetësimet dhe problemet që hasin në përditshmërinë e tyre, të cilët, më shumë se sa për të mirën e përgjithshme, do të mendojnë për atë individuale, sipas parimit ‘të rrimë urtë se këta të heqin bukën e gojës’.

Vetëm përballja me vërtetësi dhe realizëm me problemet e shkollës shqiptare, mund të kontribuojnë në përmirësimin e gjendjes së saj. Vetëm një diskutim i gjerë, mbarëkombëtarë, pa paragjykime dhe pa pasur frikën e ndëshkimit dhe të hakmarrjes, mund ta shpëtojë shkollën nga falimentimi i misionit të saj.

B.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?