KURBIN- Një aksion i forcave Operacionale të Drejtorisë së Policisë Vendore të Lezhës në zonën e Kurbinit është shoqëruar me të shtëna me armë zjarri dhe plagosjen e një personi.
Ngjarja ka ndodhur gjatë natës në qytetin e Laçit, ku sipas burimeve policia kishte shkuar për të prangosur një të ri dhe në ato momente është qëlluar me armë zjarri.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë blutë kishin marrë informacion se shtetasi i kërkuar po lëvizte me automjet, në lagjen nr. 4, Laç.
Në momentin e ndërhyrjes për ndalimin e të riut, blutë kanë dëgjuar të shtëna me armë zjarri, dhe menjëherë kanë ndërhyrë ku u vunë në ndjekje të automjetit që lëvizi me shpejtësi, sapo u konstatuan shërbimet e Policisë.
Gjatë ndjekjes, automjeti që drejtohej nga 28-vjeçari në kërkim, në tentativë për t'iu shmangur shërbimeve, është përplasur me automjetin e shërbimeve operacionale të policisë, por blutë kanë arritur të neutralizojnë dhe arrestojnë Klaudio Buraku, banues në Laç.
Gjatë kontrollit, Policia gjeti dhe sekuestroi 3 armë zjarri (2 pistoleta dhe 1 kallashnikov) dhe municion luftarak. 28-vjeçari ishte shpallur në kërkim në vitin 2023, për armëmbajtje pa leje, kanosje dhe shkatërrim të pronës, ndërsa nga veprimet hetimore të kryera në vendngjarje, dyshohet se para se të ndërhynte Policia, në automjetin e tij ndodheshin dhe persona të tjerë.
Autori i dyshuar i plagosjes që ndodhi mbrëmjen e kaluar në Lezhë, është vënë në pranga.
68-vjeçari Gjin Buzuku qëlloi me armë zjarri 26-vjeçarin Mehmet Domi.
Ngjarja ndodhi në lagjen numër 4 në Kurbin, në kohën kur Operacionalja pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Vendore të Lezhës ka qenë duke kryer një operacion për kapjen e nipit të 68-vjeçarit, 28-vjeçarin Klaudio Burakun, i cili që prej vitit 2023 ishte shpallur në kërkim për armëmbajtje pa leje, kanosje dhe shkatërrim prone.
Komente
