TIRANË- Policia ka njoftuar zyrtarisht se ka shpallur në kërkim 33-vjeçarin Jetmir Pepa, pasi qëlloi me armë zjarri në një koncert festiv natën e ndërrimit të viteve në Parkun Olimpik. Policia thotë se dyshohet se Pepa ka qëlluar me armë zjarri më datë 01.01.2025 rreth orës 04:30, në ambientin e mbyllur ku po zhvillohej koncerti te Parku Olimpik.
Uniformat blu nga këqyrja e vendit të ngjarjes kanë gjetur dhe sekuestruar një gëzhojë.
“Në përfundimin të veprimeve të para hetimore nga Komisariati i Policisë Nr.2, nën drejtimin e Prokurorisë u bë shpallja në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasit Jetmir Pepa, 33 vjeç. Ky shtetas dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në një ambient festiv në rrugën “Liman Kaba” më datë 01.01.2025 rreth orës 04:30. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar një gëzhojë”, njoftoi Policia e Tiranës më 3 janar 2025.
Jetmir Pepa, i njohur si Mir Pepa dyshohet se ka qëlluar dy herë me armë zjarri në ajër, për arsye që ende nuk bëhen me dije. Emri i tij është lakuar edhe në konfliktin e motrave Berisha të cilat dhunuan blogeren Klea Prenga, pasi përflitet si ish-partneri i Marinela Berishës.
Në momentin që ka qëlluar, në skenë ka qenë duke performuar reperi Stresi, i cili më pas është larguar. Fatmirësisht nga të shtënat nuk ka pasur të lënduar, por ngjarja ka krijuar panik te pjesëmarrësit pasi ambienti ishte i mbushur plot me të rinj e të reja që ishin duke festuar natën e ndërrimit të viteve.
Koncerti mbahej në sallën e Parkut Olimpik në rrugën “Liman Kaba” në Tiranë dhe ishte marrë me qira nga Cinco Cavalli Group.