Kultura

Qendër multifunksionale dhe plan konservimi për Bylisin! Marrëveshje mes Agjencisë Italiane e Institutit Arkeologjik

12 Mars, 15:50| Përditesimi: 12 Mars, 15:55

  • Share

Ruajtja e trashëgimisë kulturore dhe shtimi i vizitorëve në Parkun Arkeologjik të Bylisit (qytetet antike Bylis dhe Klos) janë në qendër të marrëveshjes së firmosur mes Agjencisë Italiane të Bashkëpunimit për Zhvillim (AICS) dhe Institutit të Arkeologjisë (IA) në Tiranë. Memorandumi ka si objekt vendosjen e marrëdhënieve të bashkëpunimit tekniko-shkencor mes palëve, në kuadër të përgatitjes së projekteve për Parkun Arkeologjik Bylis dhe Klos.

Palët diskutuan për planin e konservimit të objekteve të zbuluara dhe ruajtjen e punës kërkimore të bërë për dekada të tëra në Parkun Arkeologjik të Bylisit. Një pikë me rëndësi është projekti i ngritjes së Qendrës Multifunksionale në Parkun Arkeologjik të Bylisit, ku përfshihen qytetet antike Bylis dhe Klos, që do të shërbejë si pikë referimi për studime, kërkime, ekspozime dhe promovim të trashëgimisë. Memorandumi synon zhvillimin lokal të arkeologjisë, që udhëhiqet nga turizmi por fokusohet tek trashëgimia kulturore e dy vendeve. Agjencia Italiane e Bashkëpunimit për Zhvillim po zbaton projektin IPA 2018 “BE për zhvillimin ekonomik drejtuar nga turizmi, zhvillimi ekonomik dhe vendor me fokus mbi trashëgiminë kulturore”, lidhur me Bylisin.

“Kjo nismë zbatohet për parkun e mrekullueshëm arkeologjik të Bylisit dhe mbështetet nga fondet e BE-së me një buxhet prej 6.25 milion Euro. Marrëveshja përfaqëson një mundësi kyç për projektin dhe përfitimet e tij, si qendër multifunksionale dhe planin e konservimit.”, - u shpreh Stefania Vizzaccaro, Drejtore Rajonale e AICS-së.

Kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi falenderoi Bashkimin Europian për mbështetjen dhe për investimet edhe në drejtim të zhvillimit të kërkimit shkencor në Shqipëri dhe veçanërisht të pasqyrimit të trashëgimisë kulturore të vendit tonë. Gjithashtu ai shprehu kënaqësinë që “një projekt kaq i rëndësishëm sicc është Qendra Multifunkionale e Bylisit të bëhet me kooperacionin italian pas negociateve të vazhdueshme.” Sipas tij, “kjo është një marrëveshje model që vetë instituti i arkeologjisë dhe punonjësit e tij  janë më se të interesuar, sepse pritet që puna e tyre shumëvjeçare të jetë sa më e aksesueshme dhe e ekspozuar sa më mirë dhe projekti për ta zbatuar në bashkëpunim me Institutin e Arkeologjisë, sigurisht për pjesën shkencore, është mënyra më e mirë për të rivlerësuar dhe pasqyruar sa më mirë trashëgiminë tonë.”

“Në Shqipëri janë të njohura qendra si Butrinti apo Apolonia. Tani, me këtë investim, Bylysi do të marrë vendin që meriton.", - tha Gjinushi.

Projekti fillimisht do të konsultohet me profesorët dhe ekspertët më të njohur të arkeologjisë për konservimin e zbulimeve dhe do të hartohen strategji për ngritjen e qendrës multifunksionale. Në Bylis janë bërë kërkime nga pala italiane, duke nisur që nga vitet ’30-të.

 

 

 

B.G/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Grupi i PS në listë të hapur, përveç drejtuesve politikë, si iu duket?