Një qendër e re është hapur në Ersekë për refugjatët e lindjes së mesme që kapen në kufirin juglindor. Por qendra sociale do të ketë dy funksione, përpos sirianë aty do të t'u ofrohet shërbim edhe personave në nevojë të këtij qyteti.
Nga një godine e rrënuar, ish-çerdhja ne qytetin e Ersekës është shndërruar në një qendër sociale. Me një kapacitet prej 30 shtretërish, kjo qendër do shërbejë si strehë për refugjatët e lindjes së mesme që kalojnë ilegalisht kufirin.
Gjatë ceremonisë, Eduard Merkaj drejtori i Përgjithshëm i Departamentit për kufirin dhe Migracionin në Policinë e Shtetit tha se "dihet se Shqipëria është urë kalimi për refugjatët e Lindjes. Të gjitha qendrat që kemi kryejnë procedurat standarde të policisë kufitare. Kjo qendër është pak më specifike sepse do të trajtojnë gra dhe të mitur."
Qendra është e veçantë në llojit e vet pasi do të ketë dy funksione. Një pjesë e hapësirës është dedikuar për refugjatët, kryesisht persona vunerabël, gra e fëmijë. Ndërsa gjatë ditës, kjo qendër do të shërbejë për shtresën e varfër në qytet, të cilëve do t'u ofrohet ushqim falas, sqaroi kryetari i bashkisë, Erion Isai.
Ngritja e kësaj qendre sociale e cila mban emrin e motrave "Qiriazi" u bë e mundur me fondet e Caritas dhe UNHCR.