“Buxheti i vitit 2024” për Qendrën Kombëtare të Kinematografisë, u diskutua në parim këtë mesditë në Komisionin për Edukim dhe Mjetet e Informimit Publik.
Drejtuesi aktual, Arben Lami, fillimisht ndali tek propozimet për ndryshim të ligjit të kinematografisë, që vijnë si iniciativë e ministres së Kulturës, Elva Margaritit, veçmas pas marrëveshjes me Qendrën Kombëtare për Kinemanë dhe Imazhet e Animuara (CNC) të Francës.
“Ne në 2020 kërkuam ndryshime në disa nene të Ligjit, ndërsa ndryshimi në total vjen me synimin për ta përmirësuar duke ndjekur modelin e Ligjit francez të kinematografisë”,- është shprehur Lami.
Siç ai thekson, ndryshimi ligjor konsiston në dy pika kryesore që janë Cash Rebate dhe Film Comission, që do të shërbejnë për tërheqjen e kompanive të huaja filmike dhe promovimin e kinemasë vendase.
Ndërkaq shpjegoi ndarjen e buxhetit prej 161 mln lekësh në Qendrën e Filmit, ku administrata zë afro 6.5 për qind me gati 9 punonjës që zhvillojnë të gjithë punën, siç shpjegon Lami.
Duke vënë theksin tek nevoja për mbështetje më të madhe për kineastët, Lami, shpjegoi kërkesën për shtesën prej 10mln lekësh në buxhetin për Qendrën Kombëtare të Kinematografisë.
“Bëhet fjalë për financimin e diplomave bachelor të Universitetit të Arteve të cilat i kemi mbështetur këto 4 vjet por duke hequr nga buxheti i projekteve”,- shpjegon më tej ai.
Ndërkaq kryetarja e komisionit Evis Kushi, premtoi mbështetje ndaj Qendrës së Filmit dhe solidarizim për financat e ulëta me të cilat punon.