Kultura

Qendra Kombëtare e Kinematografisë, qendër e audiovizualit! Jorgji: Do të ndryshojmë rregulloren e mbështesim të rinjtë

12 Korrik, 14:32| Përditesimi: 12 Korrik, 16:31

  • Share

Qendra Kombëtare e Kinematografisë synon të shndërrohet në një qendër të industrisë audiovizuale, pjesë e së cilës do të jenë jo vetëm zhvillimi i filmave, por edhe i fushave të tjera, siç janë serialet indipendente, prodhime të realitetit virtual, video-lojërat etj.  Për “Report TV”, detajet i bën me dije kryetari i sapoemëruar i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Jonid Jorgji. 

Me përvojë të gjerë përsa i përket industrisë kreative, mes të tjerash, që nga viti 2022, Jonid Jorgji ka drejtuar Agjencinë e Industrive Kreative pranë Bashkisë së Tiranës, duke mbikqyrur projekte kyçe, si: Qendra e Artit Agimi, kinemaja "Maks Velo", "Tirana Film Office", "MicroFolie Tirana" dhe Rezidenca Nomade e Artit.

“Të gjithë jemi dëshmitarë të shohim se sa të përhapura janë prodhimet e tjera audiovizuale, siç janë serialet, lojërat video-game etj. dhe sa influencë kanë në gjithë jetën shoqërore. Është nevojë e kohës dhe gjithë komunitetit që të shihet gjëja pak më e gjerë. Të gjithë jemi dëshmitarë që sot shohim shumë seriale televizivë, që kanë rëndësi artistike, sociale, ekonomike etj. Nuk ka më pengesa e nuk ka pse të ketë më pengesa, që një institucion në momentin që komuniteti kërkon ta ketë pak më të gjerë fushën e veprimit, të mos hapet më tepër dhe të ndihmojë sa të mundet për zhvillimin e kësaj industrie të madhe.”, - thotë Jorgji.

Ai bën me dije se tashmë do të ketë edhe demokratizim të rregullores së QKK-së dhe heqje të barrierave të panevojshme që pengojnë, jo vetëm për të rinjtë, por edhe për të gjithë autorët e tjerë.

“Rregullorja është gjëja më e thjeshtë për t’u ndryshuar. Patjetër në momentin që po kërkojmë ta përhapim sa më shumë, ta propagandojmë sa më shumë këtë art dhe këtë industri, patjetër shumë barriera do të hiqen dhe do të ndihmohen dhe incentivohen të gjithë drejtuesit, të rinj e të vjetër, të të gjitha formateve të ndryshëm që lidhen me audiovizualin. Por industria ka disiplinën e vet, që do të thotë disiplina do të rritet, që do të thotë rregulla për të mirën e veprimtarisë së kinematografisë e audiovizualit, që do të ndihmojnë të rinjtë nga hallka e parë deri te ajo e shpërndarjes, distribucionit të produkteve të tyre,me fokus të veçantë edukimin e kineastëve, krijuesve të rinj.  Rregullat do të jenë ato të cilat ndihmojnë, jo pengojnë.”, - shpjegon Jorgji.

Emërimi i Jorgjit në krye të QKK-së vjen në një moment të rëndësishëm për zhvillimin e industrisë kreative në vend, në kuadër të procesit gjithëpërfshirës të nisur nga MEKI për hartimin e Strategjisë Kombëtare për Ekonominë Kreative, në bashkëpunim me aktorë kombëtarë e ndërkombëtarë.

“MEKI, bashkë me institucione të tjera përgjegjëse dhe institucione ndërkombëtare po punojnë për një paketë fiskale. Kjo do të vijë menjëherë pas punës së parë që do të bëjmë me QKK-në, që do të jetë ndërtimi i strartegjisë për audiovizualin. Kjo strategji do të vijë duke grumbulluar të gjithë ato ide e propozime të dhëna nga komuniteti, propozimet që kanë institucionet shtetërore dhe njëkohësisht përcvoja të ndryshme nga vende të ndryshme të rajonit e Evropës, që mund të adaptohen shumë mirë në vendin tonë.”

Në këtë kuadër Shqipëria do të aplikojë lehtësira fiskale sa i përket bashkëprodhimeve të huaja në lidhje me vendxhirimet dhe jo vetëm.

“Tashmë ka ardhur momenti ta shohim si industri dhe duke e parë në këtë formë, paketat e ndihmave fiskale do të jenë të ndryshme, do të jenë tërheqëse, konkurruese me vendet e rajonit dhe do të vijnë të mirëmenduara dhe afatgjata. Ajo për të cilën do të punojmë është që asnjë prodhimi, shqiptar apo të huaj, që vjen në Shqipëri nuk do t’i mungojë buxheti për të bërë produktin e tyre. Nuk është një fushë e lehtë, buxhetet që kërkohen janë të mëdha, por do të mundohet të plotësohet nevoja, aty ku shihet që projekti dhe iniciativa ka potencial të mirë, si për të promovuar kulturën tonë, për të promovuar peizazhet tona, për të bërë një vepër që mund të konkurrojë në çdo lloj kompeticioni të mirë, që mund të na nderojë dhe duke parë që këto vepra mund të sjellin në Shqipëri buxhete të tjera ndërkombëtare, që do të shpenzohen në vendin tonë.”

Për momentin, pika më e dobët në lidhje me prodhimin kinematografik në vendin tonë mbetet buxheti i QKK-së. Shqipëria, megjithëse ka një nga qendrat më të vjetra në rajon ka buxhetin më modest në lidhje me popullsinë, në lidhje GDP-në kombëtare, por edhe me misionin kulturor, duke pasur parasysh, se jo vetëm rrethohemi nga shqipfolës, por kemi një nga diasporat më të gjera në raport me numrin e popullsisë, gjë që e bën të nevojshme që buxheti, përsa i përket prodhimit audiovizual të Qendrës duhet të jetë të paktën rreth 3 milion Euro.

 

 

B.G/E.H/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Rama kërkon shkarkimin e administratorëve e nënkryetarëve, si e vlerësoni?