Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ndau sot vlerësimet për fituesit e Fondit të Krijimtarisë Letrare për Fëmijë për vitin 2025.
Juria, e kryesuar nga Dr. Albert Gjoka dhe me anëtarë Irena Prici dhe Flori Kasaj vlerësuan mes 19 dorëshkrimeve këto tri vepra fituese:
"Enigma e Kësulës së Kuqe" me autor Ermir Nika, - paraqitur nga shtëpia botuese “Albas” me motivacionin: "për një lojë intertekstuale postmoderne të përrallës së Kësulkuqes që vjen e dekonstruktuar natyrshëm dhe që nxit më tej kureshtjen dhe imagjinatën e lexuesve të vegjël përmes një rrëfimi të zhdërvjellët dhe domethënës".
"Iliri dhe Lepurushi zbulojnë kopshtin zoologjik magjik”, me autore Flogerta Krypi, – paraqitur nga shtëpia botuese “Argeta LMG” me motivacionin: "për sendërtimin e një përralle edukative që kultivon raporte të gjalla mes fëmijëve dhe botës së kafshëve, për vlerat didaktike në formësimin psikologjik dhe emocional të fëmijëve, që vijnë natyrshëm përmes të gjithë elementeve që përmban libri".
“Dhjetë pyetjet e Ardenit që pritnin përgjigje”, me autore Raimonda Belli Gjençaj – paraqitur nga shtëpia botuese “Dituria” me motivacionin: "për gjetjen tematike që provokon botën e fëmijëve sot, për një regjistër të hollë humori në rrëfim dhe për jetësimin e vlerave të librit dhe dijes njerëzore tek fëmijët".
“Do ta konsideroja një ndër fondet e rëndësishme të Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, pasi letërsi për fëmijë është një letërsi e domosdoshme në rritjen dhe edukimin e brezave që vijnë. Mbështetja e librit për fëmijë, e autorëve që shkruajnë letërsi për fëmijë është pjesë e politikave tona për të nxitur leximin, ruajtur traditën dhe pasurimin e bibliotekave me më shumë letërsi shqipe”, tha Alda Bardhyli, drejtoresha e QKLL.
Kryetari i jurisë, Dr. Albert Gjoka u shpreh i surprizuar me numrin e aplikimeve.
“Këtë vit konstatohet me kënaqësi rritje e numrit të dorëshkrimeve të paraqitura për mbështetje, gjë që dëshmon më së miri seriozitetin dhe vlerat që ka dëshmuar në vite Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit në mbështetjen e letërsisë bashkëkohore shqipe për fëmijë përmes politikave dhe aktiviteteve që ka zhvilluar. Në këtë thirrje kanë marrë pjesë emra të njohur të letërsisë për fëmijë të cilët janë vlerësuar dhe mbështetur nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit me fonde dhe me çmime që nga krijimi i saj. Po ashtu, janë marrë në konsideratë edhe grup-mosha të ndryshme”, u shpreh kryetari i jurisë, Albert Gjoka.
Fondi i Krijimtarisë Letrare për Fëmijë çdo vit, u jep mundësinë 3 autorëve të letërsisë për fëmijë të botojnë veprat e tyre. Në këtë aktivitet të organizuar nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ishin të pranishëm botues, shkrimtarë të letërsisë për fëmijë, studiues etj.
Një vit më parë fitues të këtij fondi ishin autorët Xhevahir Spahiu, Rudina Çupi dhe Rovena Rozhani.
Komente
