Foto nga aktiviteti

Kultura

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit shpall fituesit e Fondit të Përkthimit Letrar nga Gjuha Shqipe në Gjuhë të Huaj

19 Maj, 14:35| Përditesimi: 19 Maj, 14:44

  • Share

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit shpalli veprat fituese për “Fondin e Përkthimit Letrar nga Gjuha Shqipe në Gjuhë të Huaj”.

Nga ky fond i përvitshëm i QKLL u shpallën 6 vepra fituese.

Drejtoresha e QKLL, Alda Bardhyli, u shpreh se ky fond synon promovimin e letërsisë shqipe përtej kufijve dhe se përkthimi i librit shqip në gjuhë e kultura të tjera vijon të mbetet një prioritet.

“Nga viti në vit, numri i interesit shtohet për këtë fond, i aplikimeve dhe i hartës së shtëpive botuese të huaja që aplikojmë në këtë fond është më i gjerë. Synojmë që në hartën e shtëpive botuese të hyjnë edhe gjuhët e mëdha si anglishtja”.

Këtë vit, kësaj thirrjeje iu përgjigjën 11 shtëpi botuese për përkthimin e veprave të autorëve tanë përkatësisht në gjuhët (italisht, serbisht, spanjisht, greqisht, maqedonisht, anglisht, gjermanisht, frëngjisht dhe arabisht).

Për projektin “Fondi për përkthimin letrar nga gjuha shqipe në gjuhë të huaj” pati prurje nga këto shtëpi botuese si: Alaan Publishers and Distributors, Salento Book SRLS, Eurasia 1618 LP, Perun Artis, Rilindja International Limited. Asociación La Tortuga Búlgara, Vakxikon Publications, Prozart Media, Clio d.o.o, Ramsay Éditions, Loreta Schilock,

Aplikantët kishin përzgjedhur autorë, të tillë si: Ylljet Aliçka, Besnik Mustafaj, Virgjil Muçi, Migjeni, Petro Marko, Haki Stërmilli, Ardian Vehbiu, Shemsi Ahmeti, Stefan Çapaliku, Diana Çuli, Bashkim Hoxha, Preç Zogaj, Fatmira Aliaj.

Nga 11 aplikime, juria, e kryesuar nga përkthyesja Maklena Nika dhe me anëtarë studiuesin Ben Andonin dhe përkthyesin Erion Kristo vlerësoi për t'u mbështetur financiarisht nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit 6 autorë dhe vepra.

Diana Çuli, Virgjil Muçi, Bashkim Hoxha, Ardian Vehbiu, Besnik Mustafaj dhe Preç Zogaj janë autorët shqiptarë që do të flasin në greqisht, serbisht, gjermanisht dhe arabisht.

Lista e fituesve të “Fondit të përkthimit letrar nga gjuha shqipe në gjuhë të huaj” 2025

Shtëpia botuese/ Autori/ Titulli i veprës/ Përkthyesi/ Gjuha në të cilën është përkthyer vepra

1. Vakxikon Publications/ Diana Çuli/“Engjëj të armatosur”/ Niko Kacalidha/ Greqisht

2. Clio d.o.o/ Virgjil Muçi/ “Piramida e shpirtrave”/ Danilo Brajović/ Serbisht

3. Loreta Schilock/ Bashkim Hoxha/ “Kronikat e mjegullës”/ Loreta Schilok/ Gjermanisht

4. EURASIA 1618 L.P/ Ardian Vehbiu/ “Sende që nxirrte deti”/ Eleana Zhako/ Greqisht

5. Alaan Publishers and Distributors/ Besnik Mustafaj/“Midis krimeve dhe mirazheve”/ Mohamed Mufaku Gega/ Arabisht

6. Vakxikon Publications/ Preç Zogaj/ “Poema të gjedhura”/ Niko Kacalidha/ Greqisht

Motivacionet për 6 veprat fituese:

1) Libri “Piramida e shpirtrave”, i autorit Virgjil Muçi, është përkthyer me cilësi në gjuhën serbe. Saktësia dhe besnikëria ndaj tekstit origjinal spikatin. Rrjedhshmëria e gjuhës është e një niveli të tillë, saqë nuk dallohet nëse libri është përkthyer apo është shkruar drejt e në gjuhën pritëse. Kjo vepër dhe ky përkthim e meritojnë plotësisht mbështetjen nga Fondi i Përkthimit letrar.

2) Romani “Kronikat e mjegullës”, i autorit Bashkim Hoxha

Një vepër sfiduese për nga zhanri dhe simbolika, e cila vjen bukur në gjuhën gjermane, duke ruajtur sa më shumë botëkuptimin origjinal, çka i jep mundësinë lexuesit të kultivuar gjerman që të njihet me një vepër të spikatur në letrat shqipe.

3) Romani “Engjëj të armatosur”,i autores Diana Çuli, përkthyer në greqisht

Autorja e mirënjohur, njëherazi përkthyese dhe studiuese e letërsisë shqipe, Diana Çuli, kësaj here përkthehet në greqisht. Teksti i përkthyer përcillet bukur në gjuhën greke, së bashku me të gjithë elementet stilistikore të veprës. Ky roman i drejtohet një lexuesi me shije, që e njeh mirë romanin si zhanër letrar. Dhe vetë autorja zgjon problematika të ndryshme me ngjyrime shpeshherë filozofike. Botimi i këtij romani në gjuhën greke është një kontribut i rëndësishëm në njohjen e letërsive fqinje ballkanike.

4) “Poema të zgjedhura” e autorit Preç Zogaj është përzgjedhur si një përballje e bukur e kulturës shqipe në atë greke, jo vetëm për peshën që ka autori për letrat shqipe, por tërësinë e tematikave dhe mënyrën sesi vargu i tij përcjell koncepte dhe përfytyrime, të cilat meritojnë që të shijohen nga një auditor aq i kultivuar me poezinë.

5) “Sende që nxirrte deti” i autorit Ardian Vehbiu është përzgjedhur sërish në gjuhën greke dhe me një përkthim të arrirë, ku gjuha e autorit vjen e fuqishme për të përcjellë perceptimin e Shqipërisë përmes një pene intelektuale. Dhe, tematikat e jetës, të cilat ngjallin kujtesë emocionale të thellë përfshijnë shikime filozofike të individit shqiptar që shijohen bukur.

6) Përcjellja në arabisht e librit “Midis krimeve dhe mirazheve” e autorit Besnik Mustafaj është vlerësuar maksimalisht nga eksperti i gjuhës. Juria ka vlerësuar përveç faktit të vlerave të autorit dhe idenë se libri po përcillet në një treg, i cili ka nevojë që të njihet me kulturën tonë. Dhe, cili më mirë mund ta realizonte sesa autori ynë, i cili njihet për thellësinë e vështrimeve dhe mënyrën sesi e përcjell paradoksin.

Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Kalon për gjykim dosja 'Partizani', besoni se do të ketë drejtësi?