Kronikë

Qendra për edukimin dhe rehabilitimin e të miturve, Manja inspekton punimet: Shqipëria në pararojë të drejtësisë restauruese

17 Korrik, 16:23| Përditesimi: 17 Korrik, 16:42

  • Share

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, inspektoi sot punimet në kantierin e Institutit të ri për Edukimin dhe Rehabilitimin e të Miturve, që po ndërtohet në Mëzez të Tiranës. Ky institucion është i pari i këtij lloji në rajon dhe i dyti në Europë, pas Francës, duke e pozicionuar Shqipërinë në pararojë të qasjes moderne dhe gjithëpërfshirëse për trajtimin e të miturve në konflikt me ligjin.

Instituti do të funksionojë si një qendër polifunksionale, ku bashkohen arsimi, trajnimi profesional, mbështetja psikologjike dhe riintegrimi social. Ai synon jo vetëm rehabilitimin, por krijimin e mundësive të reja për të rinjtë që të rifillojnë jetën me dinjitet dhe perspektivë të re.

Gjatë inspektimit, ministri Manja theksoi se ndërtimi i këtij institucioni përbën një hap thelbësor drejt konsolidimit të drejtësisë restauruese në Shqipëri.

“Kjo vepër mishëron filozofinë e re të drejtësisë për të miturit. Një drejtësi që sheh përpara, që edukon dhe krijon kushte për një fillim të ri. Shqipëria po sjell një model që frymëzon gjithë rajonin,” u shpreh ministri.

Instituti për Edukimin dhe Rehabilitimin e të Miturve është pjesë e angazhimit të Ministrisë së Drejtësisë për një sistem penal më të drejtë, më funksional dhe më njerëzor, në përputhje me prioritetet e shtetit të së drejtës dhe objektivat e integrimit europian.

S.B/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Përplasja mes Lapajt e Shabanit për mandatin, kush mendoni se ka të drejtë?