Politikë
Sociale

Qendra Rinore në bashkinë Sarandë çel dyert për mbi 6 mijë të rinj, Muzhaqi: Nga një godinë e rrënuar, në një qendër mundësish

31 Maj, 14:51| Përditesimi: 31 Maj, 14:55

  • Share

Të rinjtë e Sarandës do të kenë në shërbim të tyre Qendren e re Rinore. Një hapësirë moderne dhe funksionale, e kthyer nga një godinë e rrënuar në një mjedis zhvillimi dhe krijimtarie për mbi 6 mijë të rinjtë e qytetit bregdetar.

Ministrja për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi theksoi rëndësinë e këtij investimi si një përgjigje konkrete ndaj një kërkese të kahershme të të rinjve sarandiotë.

“Kjo qendër është një dëshmi se kur të rinjtë artikulojnë nevojat e tyre dhe institucionet dëgjojnë, ndryshimi është i mundur. Nga një godinë e rrënuar, sot kemi një qendër moderne me sallë leximi, sallë kompjuterash, klub libri, podcast dhe kinema. Tani është radha juaj, të dashur të rinj të Sarandës, ta merrni këtë hapësirë në dorë dhe ta ktheni në një pikë zhvillimi personal, profesional dhe akademik”, nënvizoi Muzhaqi. 

Ky projekt është realizuar nga Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët përmes Agjencisë Kombëtare të Rinisë dhe në bashkëpunim me Bashkinë Sarandë, si pjesë e mbështetjes së infrastrukturës rinore.

Qendra rinore e Sarandës e con në 15 numrin e bashkive në të gjithë vendin në të cilat rinia ka tashmë “shtëpinë e vet” dhe mund të organizojë takime dhe aktivitete në funksion të edukimit dhe rritjes së bashkëpunimit mes tyre.

Më herët ka përfunduar ndërtimi i qendrave rinore në Tiranë, Librazhd, Malësi e Madhe, Dibër, Mat, Durrës, Shkodër, Korcë, Pogradec, Lezhë, Elbasan, Roskovec, Gjirokastër dhe Kamëz. Përmes këtij programi, Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët synon të garantojë infrastrukturë cilësore për të rinjtë në të gjithë Shqipërinë, duke krijuar hapësira për edukim, krijimtari, bashkëpunim dhe rritje të potencialit të tyre.

S.B/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Cilat duhet të jenë prioritetet e mandatit të katërt të qeverisë Rama?