Qëndrime kritike nga UNESCO mbi Beratin dhe Gjirokastrën për autoritetet shqiptare

15 Korrik, 20:59| Përditesimi: 15 Korrik, 23:02

  • Share

Autoritetet shqiptare pritet të përballen me kritika të forta në Komitetin e Trashëgimisë Botërore të UNESCOS që mbahet këtë muaj në Indi.

Projekt vendimet për Butrintin, Gjirokastrën dhe Beratin të bëra publike nga UNESCO flasin për një seri detyrimesh të papërmbushura nga Shqipëria dhe për shqetësime nga organizata botërore për një seri çështjesh.

Komiteti i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s që mblidhet gjatë këtij muaji në Indi në sesionin e 46-të, pritet t`u drejtojë autoriteteve shqiptare kritika të forta për menaxhimin e Butrintit, Gjirokastrës, Beratit dhe Ohrit që janë përfshirë në listën e pasurive botërore.

Projekt-vendimet e Komitetit të UNESCOS janë bërë të njohura deri tani për Butrintin si dhe për Beratin dhe Gjirokastrën, si pasuri të trashëgimisë në seri, ndërkohë që projektvendimi për Ohrin ende nuk është publik.

Misionet e mëparshme të UNESCOS kanë qenë tejet kritike si ndaj palës shqiptare edhe atë maqedonase edhe për Ohrin, sidomos për moskontrollin e ndërtimeve pa kriter buzë liqenit.

UNESCO thotë në projekt-vendimin për Gjirokastrën dhe Beratin, se “ vëren me keqardhje se, pavarësisht kërkesave të mëparshme, Shqipëria nuk ka zbatuar plotësisht projektin për zhvillimin e Planit të Menaxhimit në bashkëpunim me sektorin qeveritar dhe civil, financuar nga Fondi i Trashëgimisë Botërore”.

“Shqipëria duhet të përditësojë Planin e Menaxhimit si një çështje me përparësi duke marrë parasysh komentet dhe rekomandimet e bëra tashmë nga Organet Këshillimore dhe duke përfshirë në mënyrë aktive autoritetet vendore të Beratit dhe Gjirokastrës”, thotë UNESCO.

UNESCO u kërkon autoriteteve shqiptare të paraqesin një projekt parafinal të planit të menaxhimit , i cili do të shërbejë si bazë për ndonjë ndihmë të mëtejshme nga Qendra e Trashëgimisë Botërore dhe Organet Këshillimore.

Shqipëria në raportin e saj në shkurt të këtij vitit të dorëzuar në UNESCO tha se nuk kishte arritur të përfundonte Planin e Menaxhimit për Beratin dhe Gjirokastrën, pasi grupi që punonte për dokumentin u zhvendos i tëri nga Ministria e Kulturës në një ministri tjetër.

UNESCO kishte financuar autoritetet shqiptare për Planin e Menaxhimit të Beratit dhe Gjirokastrës me rreth 30 mijë dollarë.

Planet e Menaxhimit janë dokumente startegjike për monumentet e trashëgimisë botërore dhe vendet kanë detyrimin t`i hartojnë dhe t`i zbatojnë ndërkohë që në rastin e Gjirokastrës dhe Beratit prej katër vitesh autoritetet nuk kanë arritur të finalizojnë një Plan Menaxhimi.

UNESCO thotë më tej në projekt-vendimin që do të shqyrtohet nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore në Indi se “vëren me keqardhje përfundimin e ndërtimit të rrugës së bypass-it të Gjirokastrës pa zbatuar kërkesat e UNESCOS, dhe për këtë arsye i kërkon Shqipërisë që të kryejë urgjentisht një vlerësim të plotë të pavarur të ndikimit të projektit në trashëgiminë e Gjirokastrës dhe ta dorëzojë në Qendrën e Trashëgimisë Botërore për shqyrtim nga Organet Këshillimore”.

UNESCO i kërkon Shqipërisë të ndërmarrë një studim të integruar për të vlerësuar ndikimin e projekteve të shumta të infrastrukturës dhe zhvillimit dhe t'ia dorëzojë atë UNESCOS për shqyrtim nga organet këshillimore.

Ndërkohë UNESCO në projekt-vendim thotë se mirëpret angazhimin e Shqipërisë për të përmirësuar rregulloret e urbanistikës së Beratit dhe të Gjirokastrës, por kërkon të qartësohen ndërlidhjet ndërmjet Planit të Menaxhimit të Integruar dhe planeve të veçanta për ruajtjen mbrojtjen dhe administrimin e qendrave historike të dy qyteteve.

Së fundi, UNESCO i kërkon Shqipërisë që t'i paraqesë Qendrës së Trashëgimisë Botërore, deri më 1 shkurt të vitit 2025, një raport të përditësuar mbi gjendjen e ruajtjes dhe zbatimin e kërkesave të misioneve të UNESCOS , i cili do merret për shqyrtim nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore në sesionin e tij të 47-të.

Analiza dhe përfundimet e UNESCOS që shoqërojnë projekt-vendimin për Gjirokastrën dhe Beratin pohojnë se “as përparim i mjaftueshëm dhe as thelbësor nuk është raportuar në zbatimin e rekomandimeve të misionit Monitorues Reaktiv të Qendrës së Trashëgimisë Botërore/ICOMOS/ICCROM në vitin 2021 dhe ritheksohet kërkesa drejtuar Shqipërisë që t'i zbatojë ato plotësisht”.

“Shqipëria duhet nxitur t'i zbatojë plotësisht këto rekomandime, me vëmendje të veçantë ndaj atyre të theksuara në vendimin e mëparshëm të Komitetit”, thotë UNESCO.

UNESCO thotë në analizën e saj se detajet e projekteve të zhvillimit që mund të kenë ndikim në vlerat universale të Beratit dhe Gjirokastrës nuk janë dorëzuar nga autoritete shqiptare për shqyrtim nga Organet Këshillimore të UNESCOS.

UNESCO i kërkon Shqipërisë që të paraqesë gjithashtu detajet e projekteve në Qendrën e Trashëgimisë Botërore për shqyrtim përpara çdo miratimi ose vendimi të pakthyeshëm. UNESCO i kërkon Shqipërisë të vazhdojë përpjekjet për të kufizuar shfaqjen e aktiviteteve të ndërtimit të paligjshëm në qendrat historike të Gjirokastrës dhe Beratit.

UNESCO në analizën e saj ka vlerësuar ndërkaq progresin e bërë në përmirësimin e gjendjes së ruajtjes dhe mbrojtjes nëpërmjet nismës së Bonusit të Rijetëzimit dhe në përmirësimin e rregulloreve urbanistike të Qendrave Historike të Beratit dhe Gjirokastrës.

Gjirokastra u përfshi në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s më 15 korrik të vitit 2005 dhe më 8 korrik të vitit 2008 u përfshi si një pasuri e trashëgimisë në seri edhe Berati.

Autoritetet shqiptare të kulturës dhe mjedisit njoftuan dy javë më parë se zhvilluan në selinë qendrore të UNESCO-s në Paris takime me nivelin më të lartë të drejtuesve të trashëgimisë botërore për të dakordësuar një plan pune dhe protokoll teknik bashkëpunimi me UNESCON.

“Dakordësuam një plan pune dhe protokoll shumë të mirë teknik, por edhe politik për të qenë gjithmonë e më afër me njëri-tjetrin, në të gjitha sfidat që na presin”, tha pas takimeve me përfaqësusit e UNESCOS ministri i Kulturës, Ekonomisë dhe Inovacionit Blendi Gonxhja.

Ndërsa ministrja e Mjedisit, Mirela Kumbaro tha se “zhvillimi i qëndrueshëm i turizmit kalon përmes dy pasurive më të mëdha që ka Shqipëria, natyrës dhe trashëgimisë kulturore”. “ Këtë konfirmim ne e morëm këtu në selinë e UNESCO-s në Paris”, tha zonja Kumbaro./VOA

S.B//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 16/07/2024 04:24

    Org.keshilluese-thone keta! Shqipove vetem me dru u merr vesh radakja.E pate si org. ambientaliste kerkuan qe aeroporti i Vlores te mos ndertohej,i degjoi Rama?-Jo! Po keshtu do t'a kene fatin dhe Berati,Gjirokastra e Ohri.Ne na pelqen te shesim tangerllek me qenesine e tyre ne UNESCO, qe te terheqim turiste,nje pjese e te cileve jane komplet idiote,pasi shastisen pas /luludheve/ e nuk dallojne shkeljet,por vetem kaq se kur vjen puna per ruajtjen e menaxhimin e tyre,grykesia per lek eshte me e forte se ruajtja e menaxhimi i tyre.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?