Muaji Qershor ka nisur me temperatura të larta. Këto temperatura pritet që të na shoqërojnë deri në fund të këtij muaji.
Kështu deklaroi ditën e sotme meteorologia Anira Gjoni nga Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEUM), në emisionin ‘Sot Live në Shqipëri’, me gazetarin Netil Agalliu, në Report Tv.
Gjoni theksoi se pavarsisht luhatjeve atmosferike gjatë pasdites së sotme dhe ditës së martë, temperaturat do të jenë të larta duke filluar që nga dita e mërkurë e kësaj jave.
“Java ka nisur me kushte të paqëndrueshme atmosferike, por duke filluar nga e mërkura do ketë kushte më të qëndrueshme atmosferike. Gjatë pasdites së sotme dhe ditën e martë pritet që të kemi reshje të dobëta në disa qarqe në vend, por temperaturat do të qëndrojnë të larta sa i takon kësaj jave dhe në vijim. Nesër në zonat bregdetare temperaturat do të jenë 26 gradë, 29 gradë në zonat e ulëta dhe në zonat malore 23 gradë celcius. Presim që qershori të jetë një muaj i nxehtë dhe më i thatë, nëse e krahasojmë me muajin majin. Këta muaj që kanë kaluar kanë qenë më të nxehtë sesa duhet që të ishin për stinën e pranverës”, tha ajo.
Sa i takon reshjeve në zonat bregdetare pasditen e sotme, Gjoni tha se nuk parashikohet që të ketë reshje në këto zona.
“Nuk presim që të kemi reshje me intensitet në bregdet, në zonat kodrinore dhe në ato malore pritet të ketë reshje të dobëta lokale”, tha Gjoni.
Kjo verë pritet të jetë e nxehtë sipas Gjonit, por jo në ato nivele që të konsiderohet si vera më e nxehtë që kemi pasur në vend.
“Presim që vera të jetë e nxehtë, por jo në nivele alarmante që të cilësohet si vera më e nxehtë”, tha ajo.