Ekonomi

Qeveria si 'investitor', do të importojë vetë naftë dhe do t’ua shpërndajë kompanive! Ekspertët: Lajm i mirë, do të ulë çmimin

3 Korrik, 17:26| Përditesimi: 3 Korrik, 17:37

  • Share

“Do të jemi pjesë si qeveri në importin e naftës dhe në shpërndarjen e naftës”, deklaronte mbrëmë nga Cërriku Kryeministri Rama.  

Shteti jo vetëm rregullator që bën ligje e harton skema për zhvillimin e ekonomisë, por do të ‘veshë’ edhe rolin e sipërmarrësit. Kreu i qeverisë Edi Rama ju rikthye më 2 korrik premtimit të 2022-shit, për krijimin e Rezervës Shtetërore të Naftës përmes Albpetrol.

“Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës do angazhohet për të krijuar rezervën e vet”, u shpreh Rama më 11 mars 2022, kohë kur sapo kishte nisur kriza e çmimeve.  

E ideuar fillimisht si rezervë për ‘kohë të këqija’ siç janë krizat që shkaktojnë mungesë furnizimi, tashmë plani i qeverisë është edhe më i gjerë, pasi pritet që shteti të importojë naftë jashtë vendit dhe më pas ta shpërndajë për kompanitë në treg, me çmim më të arsyeshëm se tani me synim final uljen e faturës për qytetarët.

“Kjo gjë do të na vërë ne, në pozitën ku do të do të mund të përcaktojmë një çmim më të arsyeshëm sesa çmimi aktualisht i naftës në Shqipëri”, tha Rama më 2 korrik 2025 në Cërrik.

Një hap i tillë sipas ekspertit të ekonomisë Klodian Muço mund të ketë disa efekte në tregun e hidrokarbureve në vend.

“Është lajm për tu përgëzuar që shteti e kupton që treg ka diçka që nuk shkon. Çmimet janë të larta, ndoshta mund të jetë një hap pozitiv që mund të rrisë konkurrencën dhe të ulë çmimet e përgjithshme. Mund të ndikojë në rritjen e cilësisë së produktit të shitur, shteti mund të gjej zgjidhje për problemet e peshës që diskutohen (pretendimet e qytetarëve për mashtrim nga kompanitë e naftës me peshën që mbushin makinat)”, thotë Muço.

Importi i karburantit nga tregjet e huaja ka ardhur gjithnjë e në rritje. Shifrat e drejtorisë së Përgjithshme të Doganave tregojnë se nga 2020-2024 janë importuar nga jashtë afro 3 milionë tonë karburant, me rekordin e shënuar vjet me në total 657 mijë tonë karburant i blerë nga jashtë. 

Por trendi rritës nuk po ndalon as këtë vit, ku shtimi i kërkesës për naftë ndikuar edhe prej turistëve ka bërë që në 5 muajit e parë të vitit të importohen afro 280 mijë tonë, me rritje 31 mijë tonë në raport me të njëjtën periudhë vjet. 

Eksperti thotë se përtej daljes së shtetit në bursat ndërkombëtare për të blerë naftë, zgjidhja mund të gjendet edhe brenda vendit.

“Shteti mund ta zgjidhte më kollaj. Kontroll më të rreptë të cilësisë, sasisë së shitur dhe të konkurrencës. Për naftën e nxjerrë në Shqipëri të bëhej një marrëveshje me një rafineri të huaj që të përpunohej dhe të hidhej në treg dhe besoj do kishte më shumë ndikim në çmim”, tha Muço.

Kryeministri Rama teksa ka shpalosur këtë plan të qeverisë, nuk ka lënë pa përmendur edhe ngarkesën me taksa të naftës në vend.

Një ngarkesë fiskale që paguhet dy herë thotë eksperti është ajo e qarkullimit.

“Në disa raste ke edhe taksim të dyfishtë, si taksa e qarkullimit, ku ti e paguan një herë në çmimin e naftës dhe më pas edhe kur kalon tek rruga e Kombit apo në Thumanë-Kashar. Dy pagesa për një shërbim”, sqaron Muço.

Aktualisht për çdo litër naftë paguhen 4 taksa, 20% TVSH-ja (35 lekë), 38.8 lekë akciza, 27 lekë taksa e qarkullimit dhe 3 lekë taksa e karbonit. Praktikisht kur sot e blejmë naftën 175 lekë/litri, 103.8 lekë janë taksa dhe 71.2 lekë çmimi real i naftës. 

K.T./r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si e gjykoni etiketimin në Kuvend të Flamur Nokës 'media vari Kar-lo'?