Ditën e djeshme, përpara Gjykatës së Hagës, një numër i madh shqiptarësh protestuan në lidhje me procesin gjyqësor që po mbahet ndaj ish-drejtuesve kryesorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në lidhje me këtë, Nasim Haradinaj, ish-nënkryetar i OVL-UÇK-së, ka folur në ‘Sot, live në Shqipëri!’ të moderuar nga Nertil Agalliu në Report Tv, ku ka deklaruar se Gjykata Speciale është kthyer në një institucion politik dhe jo gjyqësor. Ndërsa po ashtu Haradinaj hodhi akuza ndaj gjykatës, se ka korruptuar dëshmitarët.
“Ne që herët kemi thënë që kjo gjykatë është e instaluar politikisht. Paragjykimet që kemi pasur gjatë formimit të saj, dolën më vonë se ishin të sakta, sepse kjo Gjykatë jo vetëm është e motivuar politikisht, por ka bërë simulimin, yshtjen dhe ka bërë korruptimin e dëshmitarëve duke i orientuar sesi të flasin, pra i ka shpërblyer.
Në një farë mënyre, disa mjeranë kanë shfrytëzuar këtë rast qoftë për azil dhe kanë pranuar që të gënjejnë. Qëllimshëm i kanë marrë këta lloj dëshmitarë, që të njollosin bazamentin e lirisë së Kosovës dhe gjithë shqiptarëve”, deklaroi ai.
Haradinaj hodhi akuza ndaj qeverisë së Kosovës, se e ka futur vendin në kolaps, por sipas tij populli kosovarë do të flasë për drejtësi dhe është proamerikan.
“Mos harroni që kjo qeveri e ka futur vendin në kolaps, sikur të jetë e destinuar për mbrapsht. Mos harroni që zëra kundër kësaj gjykate, i kemi sot, por edhe më herët siç ka qenë një ish-prokurore e Hagës. Ne kemi zotin ambasador, zotin Robert Borsh, i cili që me kohë edhe në këtë protestë, e tha fjalën e vetë, dhe ne sikur diçka nuk dinë. Të huajt nga tregojnë dhe orientojnë dhe ne jemi të yshtur si për keq, sikur e kemi një sëmundje patologjike robërinë dhe s’mund të jetojmë pa të. Prandaj çdo që gjë që e kemi të mirë, mundohemi ta zhvlerësojmë,. Unë mendoj se populli ka nisur të flasë dhe foli shumë mirë në Hagë, dhe do të flasë në vijim. Po ju paralajmëroj se nga tetori, pas zgjedhjeve do të kemi organizime popullore, që do t’i shihni më vonë dhe do të befasoheni. Prandaj unë mendoj se kjo nuk është për të ndikuar në drejtësi, kjo është se pushteti nuk po bën asgjë dhe populli po flet në emrin e vetë dhe po tregon se jemi për drejtësi dhe jemi proamerikan”, u shpreh Haradinaj.
Ndërsa më tej, ish-nënkryetar i OVL-UÇK-së, hodhi akuza ndaj qeverisë Kurti që po e çon vendin drejtë përçarjes me faktorin shqiptar dhe atë amerikan.
“Ne nuk kemi vërejte dhe probleme me Tiranën, problemet i kemi këtu. Siç duket, ne jemi të destinuar për mbrapsht dhe po e çojmë vendin drejt përçarjes jo vetëm me Tiranën, Maqedoninë, shqiptarët, por këta duan të na përçajnë edhe me faktorin që na ka ndihmuar, atë amerikan dhe mbështetësit e tyre. Prandaj ky popull nuk ka vetëm një revoltë me drejtësinë, por edhe me faktorin politik që duhet t’i thuhet mjaft”.
Ndërsa po ashtu ai nënvizoi se ish-krerët e UÇK-së po kërkojnë drejtësi dhe pafajësi.
“Vetë fakti që mbrojmë emrat kryesor që kanë qenë atëherë, qoftë edhe për bindjen, qoftë edhe ndaj Rusinë, që ta pranojë sulmin ndaj Jugosllavisë dhe kasapin Millosheviç, dhe sot ata janë dëshmitarë të mbrojtjes, përballë disa ‘kërmijve’ dhe plehrave të manipuluara. Unë mendoj se po kërkohet drejtësi dhe pafajësi. Unë mendoj se UÇK ishte e nevojshme dhe e domosdoshme, dhe bërë që 26-17 shtetet e NATO-s të luftojmë së bashku kundër kasapit të Ballkanit dhe triumfuat. Dhe kush tenton të njollosë emrin e UÇK-së, në fund nëse ka drejtësi, ata do të vijnë në shtëpi”.
Haradinaj gjithashtu nuk i kurseu akuzat për Gjykatën Speciale, për të cilën tha se është krijuar dhe financuar nga Dik Martin dhe Serbia. Po ashtu, ai akuzoi Gjykatën Speciale se është kthyer në politike dhe po funksion si grup kriminal.
“Kjo Gjykatë është e financuar dhe krijuar nga Dik Martin dhe Serbia. Edhe krerët që ishin atje, të cilët akuzohen për trafik organesh, pranuan që kjo Gjykatë të krijohet se kishte elementë që nuk mund të faktohen akuzat. Kjo Gjykatë ndryshoi rrugëtimin dhe u kthye në politike me disa bastardë dhe është kthyer në gjykatë kriminale dhe politike. Thjeshtë është Gjykatë politike dhe grup kriminal që po keqpërdor mjetet e drejtësisë, që këta në fakt po duan drejtësinë ta shpallin me disa individë si të padrejtë. Unë mendoj që dëshmitarët, do ta shpartallojnë atë prokurori, që ka burimet nga gjykatat e luftës që ishin në Serbi”, tha Haradinaj në Report Tv.
Komente
