Në Gjykatën Themelore të Prishtinës janë shtyrë në total 150 seanca gjyqësore të planifikuara për t’u mbajtur ditën e sotme. Kjo ka ardhur si pasojë e vendimit të marrë nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës pasi qeveria uli pagat për prokurorët dhe gjyqtarët.
“Referuar kërkesës tuaj për informacione, ju njoftojmë se në Gjykatën Themelore në Prishtinë, numri i seancave të cilat janë shtyrë pas vendimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës me numër KGJK.nr.445/22 të datës 24 nëntor 2022, është rreth 150 seanca. Në këtë shifër nuk janë të përfshirë degët e Gjykatës Themelore në Prishtinë”, thuhet në njoftimin e gjykatës për mediat e Kosovës.
Të mërkurën, qeveria e Kosovës vendosi që pagat në sistemin e drejtësisë të kthehen në të njëjtin nivel siç ishin para vendimit të qeverisë ‘Haradinaj’ që 2017-tën i dyfishoi. Vendimi është kundërshtuar nga institucionet e drejtësisë dhe nga BE.
“Pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve kthehen në lartësinë e rregullimit juridik të mëparshëm, para datës se hyrjes në fuqi të vendimit të vitit 2017, për ngritjen e pagave të kabinetit qeveritar”, ka deklaruar më herët Kurti pas miratimit të projektligjit të pagave për të punësuarit që paguhen nga buxheti i shtetit.