Shtëpia e Bardhë

Bota

Qeveria e SHBA-së po shkon drejt mbylljes për herë të parë pas 6 vitesh, ligjvënësit dështuan të arrijnë një marrëveshje për financimin

30 Shtator, 19:01| Përditesimi: 30 Shtator, 19:05

  • Share

Qeveria e SHBA-së po shkon me shpejtësi drejt mbylljes së saj së parë pas gjashtë vitesh, pa asnjë shenjë se drejtuesit e Kongresit janë pranë një marrëveshjeje për legjislacionin që do të siguronte vazhdimin e financimit përtej afatit të së martës në mbrëmje, për të shmangur pezullimin e punonjësve dhe mbylljen e agjencive.

Shumica republikane në Kongres po shtyn një projektligj për ta financuar qeverinë deri më 21 nëntor, por demokratët kanë refuzuar të votojnë për të nëse nuk përfshin një sërë lëshimesh që lidhen me kujdesin shëndetësor.

Donald Trump thirri një takim me drejtuesit kongresualë të të dy partive të hënën në mbrëmje, por nuk pati asnjë shenjë përparimi, me nënpresidentin JD Vance që deklaroi: “Mendoj se po shkojmë drejt një mbylljeje sepse demokratët nuk po bëjnë gjënë e duhur.”

Republikanët e kaluan projektligjin e financimit në Dhomën e Përfaqësuesve me një votim pothuajse përgjatë vijave partiake, por ai kërkon të paktën disa vota të demokratëve për të avancuar në Senat.

Në këmbim të votave të tyre, partia minoritare kërkon një zgjatje të subvencioneve për planet shëndetësore të Ligjit për Kujdes të Përballueshëm (Affordable Care Act), të cilat skadojnë në fund të vitit. Ata gjithashtu duan të anulojnë shkurtimet republikane për Medicaid-in, programin që ofron shërbim shëndetësor për amerikanët e varfër dhe me aftësi të kufizuara, si dhe për mediat publike.

Chuck Schumer, udhëheqësi kryesor i demokratëve në Senat, tha se kishte paraqitur argumentet për vazhdimin e shpenzimeve për kujdesin shëndetësor para Trumpit në Zyrën Ovale dhe “[presidenti] për herë të parë dukej se e kuptoi madhësinë e kësaj krize”.

“Nëse ai do të pranojë disa nga gjërat që ne kërkojmë, të cilat besojmë se populli amerikan i mbështet, lidhur me kujdesin shëndetësor dhe anulimet e shpenzimeve, ai mund të shmangë mbylljen, por ende ka dallime të mëdha mes nesh,” tha Schumer.

Udhëheqësit republikanë në Kongres nuk kanë treguar shenja lëshimi në kërkesat e tyre për një votim mbi projektligjin e shpenzimeve, për të cilin thonë se do t’i japë hartuesve të buxhetit më shumë kohë për të arritur një marrëveshje për shpenzimet afatgjata të qeverisë.

“Kjo është thjesht dhe vetëm marrje peng nga demokratët,” tha John Thune, udhëheqësi i shumicës në Senat.

Një mbyllje e qeverisë do të fillonte të mërkurën në mesnatë. Javën e kaluar, Zyra e Menaxhimit dhe Buxhetit e Shtëpisë së Bardhë publikoi një memo duke thënë se do të shfrytëzonte ndërprerjen e financimit për të kryer më shumë shkarkime masive si pjesë e fushatës së saj për të shkurtuar burokracinë qeveritare.

Një sondazh i **Morning Consult**, i publikuar të hënën, tregoi se 45% e votuesve do t’ia atribuonin fajin republikanëve të Kongresit për një mbyllje, ndërsa 32% do t’ia atribonin demokratëve.

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Erion Veliaj ankimon në Kushtetuese shkarkimin, si e vlerësoni?