Pasi nisi një aksion që e quajti ‘shkundjeje’ të bashkive të vendit, e që kulmoi me largimet e dhjetëra drejtorëve, nënkryetarëve, e administratorëve të njësive vendore, qeveria do të ndihmojë në trajnimin edhe të pasardhësve të tyre.
Bëhet fjalë për krijimin e Akademisë së Pushtetit Vendor, një strukturë me kompetenca të përbashkëta me bashkitë që do të trajnojë në mënyrë të vazhdueshme të gjithë punonjësit e administratës, nga kryetari e deri tek punonjësi më i thjeshtë në bashki.
Akademia do të drejtohet nga një komitet i përbërë nga përfaqësues të bashkive dhe nga qeveria, përmes Ministrit të Pushtetit Vendor, Arbjan Maznikut që do të jetë në krye të kësaj nisme. Vendimi parashikon kontribut financiar nga të gjitha bashkitë për funksionimin e kësaj akademie, ndërsa vetë qeveria do të mbulojë gjysmën e kostove për tri vitet e para.
Fondet do të përdoren për trajnime profesionale që synojnë të rrisin aftësitë dhe performancën e administratës vendore në shërbim të qytetarëve. Objektivi e ekzekutivit është rritja e efikasitetit dhe efektivitetit të njësive të vetëqeverisjes vendore duke zhvilluar aftësitë e nëpunësve publik dhe të zgjedhurve vendorë. Ndërsa çështjet për trajnimin e tyre do të konsultohen me Shkollën Shqiptare të Administratës Publike për miratimin e programit vjetor të trajnimit.
Prej ditësh Kryeministri Rama ka insistuar në atë që e quan performanca e dobët e bashkive, ndërsa ultimatumi që dha më 11 korrik kryebashkiakëve të majtë nxiti dorëheqje e largime masive në bashkitë në të gjithë vendin.
Vakancat e krijuara nga vala e largimeve në njësitë vendore, drejtoritë e bashkive apo edhe në radhët e nënkryetarëve, Rama kërkoi të plotësohen me figura të reja e profesionistë që nuk kanë mbajtur më herët pozicione në administratë. Thirrjen e kishte gjithëpërfshirëse të majtë e të djathë.
Komente

Lum si ne që po na bëhen të gjithë "akademik",tani ja hodhëm.
Përgjigju