Politikë

Qeveria gati për dialog me Bashën për reformën zgjedhore...por drejtësia s'preket! Spiropali: Asnjë hap pas! PD: Rama, kufomë politike

6 Shtator 2019, 13:35| Përditesimi: 6 Shtator 2019, 17:32

  • Share

TIRANE - Qeveria është e hapur për të nisur dialogun me opozitën dhe kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, për reformën zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE-ODIHR për të reformuar bazën ligjore të zgjedhjeve. Por qeveria, nuk ka ndërmend të bëjë asnjë hap pas dhe të mos lejojë asnjë ndërhyrje tek reforma në drejtësi, e cila ka nisur të vihet në jetë përmes ngritjes së institucioneve të reja dhe ndëshkimit të të korruptuarve në sistemin e drejtësisë. Qëndrimin e shprehu në një video-mesazh shpërndarë në Facebook, zëdhënësja e qeverisë Elisa Spiropali, njëherësh Ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin.

Sa i përket aksionit opozitar dhe platformës politike që lideri demokrat ka shfaqur së fundit, Spiropali tha se në fakt, qëllimi i opozitës është që të bllokojë negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, dhe të pengojë reformën në drejtësi.

Nga lideri demokrat Basha nuk është caktuar publikisht një datë se kur opozita do të rinisë protestat anti-qeveritare, por Spiropali tha se plani i tyre është që protestat të nisin në mes të tetorit,  në një kohë kur Këshilli Evropian pritet të japë vendimin për hapjen ose jo të negociatave me Bashkimin Evropian. 

Teksa një ditë më parë kryedemokrati Lulzim Basha dha sinjalet e para të dialogut me kryeministrin Edi Rama për reformën zgjedhore, dhe deklaroi se opozita ka gati një platformë politike, pa dhënë shumë detaje, zëdhënësja e qeverisë tha sot se kjo platformë alternative përfshin edhe ndërhyrjen në reformën në Drejtësi. Por ndryshe nga gatishmëria për dialog për reformën zgjedhore, për reformën në drejtësi, qeveria nuk do të bëjë asnjë hap pas, tha Spiropali.

Por zëdhënëses së qeverisë iu përgjigj ish-deputetja Albana Vokshi, e cila përmes një postimi në Facebook thotë se shpifjet dhe propaganda e antiopozitare e Edi Ramës, përmes elisave të tij, nuk e ndryshojnë dot të vërtetën duke shtuar se 'Rama është një kufomë politike'. Spiropali reagoi duke thënë se Basha ka frikë nga vota e popullit, ndërsa deklaroi se do të padisë Vokshin për shpifje.

Video-mesazhi i plotë
"Opozita ka vendosur të shtyjë për në mesin e tetorit nisjen e protestave masive ndërsa do të përgatisë dy platforma alternative për reformën zgjedhore dhe në drejtësi. Shumë domethënëse kjo frazë për këdo që nuk e ka kuptuar apo besuar se ku fle lepuri që prodhoi gjithë zallamahinë e gjysmës së parë të vitit. E para, frika nga hapja e negociata dhe përpjekja ekstreme për shkatërrimin e imazhit të Shqipërisë. Fare qartë, në mes të tetorit kur në fakt të gjithë duhet të bënin avokatin e Shqipërisë në prag të vendimmarrjes së Këshillit Evropian më 18 tetor, Lulzim Basha do të dalë përsëri në rrugë për të prodhuar foto e lajme në mediat ndërkombëtare mbi Shqipërinë e zhytur në të zeza që nuk meriton asgjë.

E dyta dhe e thella arsye e dukshme që ka krijuar lepurin në barkun e opozitës është po ashtu në frazën koncentrat që shpjegon edhe për ata që s'kanë sy për të parë e vesh për të dëgjuar se ku fle lepuri. Platformë për të reformuar drejtësinë thotë Lulzim Basha. Ndërkohë që tërë bota thotë vini në jetë platformën tashmë të miratuar dhe të dakordësuar me tërë botën, jo negociatave se me negociatat nis edhe presioni pozitiv i BE për të dhënë provën se sistemi i ri ka nisur të funksionojë duke hetuar dhe ndëshkuar zyrtarët e lartë dhe politikanët e përzier në zullume. Jo platformës ekzistuese mbi të cilën po ngrihet sistemi i ri që rrit përditë lepurin në barkun e opozitës. Asgjë nuk duket se ka kuptuar e ka mësuar kryetari i PD-së nga humbja katastrofike dhe rrënimi dramatik që i solli partisë më të madhe të opozitës me verbërinë dhe mendjelehtësinë e tij. Le të shpresojmë që drita e arsyes do të ngrihet edhe në kokën e tij dhe së paku në grupin udhëheqës të asaj partie, për të mirën e të gjithëve. Ne nuk bëjmë asnjë hap pas, dhe nuk luajmë asnjë platformë alternative për reformën në drejtësi, do të jetë mund i harxhuar kot ajo platformë se do të mbetet në sirtarin e ëndrrave me sytë hapur të Lulzim Bashës.

Ndërkohë, po, jemi gati të ulemi për reformën zgjedhore dhe të kthejmë në ligj rekomandimet e raporteve të fundit të OSBE/ODIHR. As më shumë dhe as më pak. Është e drejta e kryetarit të PD-së të ëndërrojë përmbysje të bazës ligjore së zgjedhjeve, por kjo do të mbetet ëndërr në sirtar. Ne nuk kemi kohë për të humbur me fantazitë e atyre që duan të bëjnë çorap cdo gjë. Sepse nuk fitojnë dot zgjedhjet. Por kemi gjithë predispozitën të hapim një dialog konstruktiv dhe të bashkëpunojmë me të gjithë përfshirë edhe Lulzim Bashën për të reformuar bazën ligjore të zgjedhjeve. Viti 2021 nuk është larg prandaj le të shpresojmë që Lulzim Basha dhe PD do ta lënë të shkuarën për tu marrë me të ardhmen", u shpreh Elisa Spiropali.

Postimi i Albana Vokshit
Shpifjet dhe propaganda e antiopozitare e Edi Ramës, përmes elisave të tij, nuk e ndryshojnë dot të vërtetën Nr.1 se pa zgjedhje të lira e të ndershme nuk ka hapje të negociatave. Shpifjet dhe propaganda antiopozitare nuk ndryshojnë dot as të vërtetën Nr.2 se OSBE/ODIHR konfirmoi se me Edi Ramën nuk ka zgjedhje demokratike. Rastet e kriminelëve në Bashkitë e Shkodrës dhe të Vorës, Valdrin Pjetri dhe Agim Kajmaku, treguan se Edi Rama e ka lidhur pazgjidhshmërisht fatin e tij politik me krimin.

E vërteta Nr. 3 është se Elisa Spiropali e di se me një drejtësi të pavarur hajdutja e 5 milion eurove në dogana, përfundon në burg, njësoj si shefi i saj politik i bandave dhe kriminelët e tjerë me të cilët ata kanë ardhur dhe qendrojnë në pushtet. Elisat e dinë se Edi Rama është një kufomë politike apo siç kanë nisur t’i thonë disa të tjerë “dead man walking”. Bashkë me shqiptarët, ne nuk do ta lejojmë ta çojë edhe Shqipërinë në humnerën ku po bie.

Reagimi i Elisa Spiropalit për Albana Vokshin
Banaliteti ulëritës i Albana Vokshit nuk mund të mbulojë mendjelehtësinë proverbiale të Lulzim Bashës. Albana do të përgjigjet në gjykatë për akuzat e saj trashanike, kurse shefi i saj Luli, ka përpara gjyqin e votës së cilës i trembet si djalli temjanit" përfundoi ajo.

G.M./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sam: 06/09/2019 16:26

    Ne kete situate delikate,kur perfaqesues te larte e senatore vijne e ulin ne tavolina kreret e partive te medha;kjo Ministrja,Spirollari flet totalisht te kunderten e asaj qe ja do qenia ne kete pozicion ministreje dhe z.Kryeminister duhet t’a ndaloje kete gjuhe qe prej muajsh i hedh benzine zjarrit!Faleminderit!

    Përgjigju
  • Altini: 06/09/2019 15:21

    Drejtesin e duan te vetet se me kaq vjedhje duan te flejne gjume rehat. Hajdutet

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?