TIRANË- Qeveria ka vendosur të sot të hapë të gjitha gjykatat, për zhvillimin e seancave gjyqësore për çështjet administrative, civile dhe penale, por duke zbatuar disa masa anti-covid-19, kryesisht duke shmangur grumbullimet në ambientet e gjykatave dhe brenda sallave gjyqësore. Gjykatat e të gjitha niveleve në Shqipëri nisën kufizimin e veprimtarisë që në 10 mars të 2020, për të evituar përhapjen e infeksionit të shkaktuar nga covid-19. Gjykatat u mbyllën me një akt normativ, i cili lejonte vetëm shqyrtimin e çështjeve urgjente. Por, sot qeveria e ka ndryshuar këtë akt normativ, duke hequr kufizimet për zhvillimin e të gjitha seancave gjyqësore.
Sa i përket rregullave, akti i ndryshuar normativ parashikon që të gjitha seancat gjyqësore duhet të zhvillohen me dyert të mbyllura. Sipas aktit normativ, pjesëmarrja e palëve në proceset gjyqësore do të bëhet në distancë, pra online. Këtu përfshihen ndërhyrësit kryesorë, ndërhyrësit dytësorë, prokurori, të pandehurit, të paraburgosurit, avokati mbrojtës, viktima, viktima akuzuese, paditësit, të paditurit civilë, avokatët e shtetit, dëshmitarët, ekspertët, përkthyesit si dhe çdo pjesëmarrës tjetër të përfshirë ose të interesuar.
Mënyra e ndërlidhjes në distancë duhet të sigurojë, në çdo rast, shikueshmërinë e ndërsjellë të personave të pranishëm në të dyja vendet e ndërlidhura dhe mundësinë e dëgjimit nga të gjitha palët. Nëse parashikohet pjesëmarrja e disa palëve ose pjesëmarrësve të tjerë në proces, secili prej tyre duhet të vendoset në kushte që të mund të shikojë dhe të dëgjojë të tjerët. Në rastet kur seancat gjyqësore zhvillohen në distancë, provat, dokumentet shkresore si dhe çdo akt tjetër procedural i paraqiten gjykatës ose edhe palëve nëpërmjet mjeteve të komunikimit elektronik si dhe dërgohen, brenda të njëjtës ditë, nëpërmjet shërbimit postar, me dërgesë të porositur. KLP dhe KLGJ do të miratojë rregullat më të detajuara për mënyrën e zhvillimit të seancave gjyqësore.