Burokracia shtetërore prej 6 vitesh lë të ekspozuar përballë rrezikut të gjithë efektivët e policisë në terren e aksione, duke mos i siguruar atyre jetën siç ligji për policinë e shtetit kërkon.
Fill pas miratimit të ligjit 108/2015 ish ministri Saimir Tahiri ose kohe propozoi dhe aktin nën ligjorë VKM që rregullonte sigurimin e jetës për policët.
6 vite më pas kreu i sindikatës së punonjësve të policisë Sadetin Fishta në një intervistë për Report Tv ngre shqetësimin se si shteti nuk zbaton ligjet e miratuara prej parlamentit.
“Asnjë nga punonjësit e policisë nuk gëzon sigurim jete në rastin e një aksidenti në detyrë për shkak të detyrës. Në ligjin që është në fuqi 108, 2014, ligjvënësi ka parashikuar një nen (neni 71), ku shprehimisht thuhet se shteti merr përsipër sigurimin e jetës së punonjësit të policisë”, tha kreu i sindikatës së punonjësve të policisë Sadetin Fishta.
Sipas Fishtës kosto e këtij primi sigurimi është 700 lekë në muaj afro 5 euro, e në vit me një kosto prej 50 euro.
“Fatura që do paguante shteti për sigurimin e punonjësit të policisë ishte 700 lekë. 7 mijë lekë të vjetra. Për këtë pagesë që do ishte e grupit, kolektive do kishte përfitime të ndryshme”, shtoi ai.
A përfitojnë shpërblim të dëmtuarit deri më tani në aksione? Fishta sqaron se jo paçka se numri i tyre është me qindra.
“Në dijeninë time përveç atyre që shkojnë e marrin kredi në bankë që janë të detyruar ta bëjnë për shkak të sigurimit të kësaj kredie asnjë rast tjetër nuk ka”, tregoi Fishta.
Një tjetër shqetësim sipas sindikatës së policisë janë edhe mos dhënia e kredive të buta për efektivët e policisë të pastrehë.
“Është vendimi për dhënie për dhënie kredi 3% të punonjësve të policisë, që janë pa strehë. Polici që e ka edhe në ligj, ka një nen që qeveria duhet që të gjithë punonjësve që janë pa shtëpi, me qira, që gjysmën e kësaj page e lënë për qira, sot e kësaj dite nuk kanë mundësi që të marrin kredi”, u shpreh kreu i sindikatës së punonjësve të policisë .
Për të vënë në zbatim legjislacionin kjo sindikatë ka ndërmarrë edhe një proces ligjorë ndaj qeverisë, por aktualisht padia ka ngecur në gjykatë të lartë pasi nuk është zgjidhur se cila gjykatë e ka kompetencë ta shqyrtojë.
E deri sa qeveria të sigurojë fondet për të përballuar sigurimin e policëve, Fishta me apelin e tij kërkon të rikthehet vëmendja ndaj uniformave blu.
“Kryeministri dhe qeveria duhet ta marrin seriozisht situatën për trajtimin e punonjësve të policisë. Nuk është vetëm një vendim, por disa vendime”, u shpreh Fishta.
Ndalur tek vettingu në polici dhe shkarkimi i Arben Frashërit, Fishta tha se mënyra sesi po zhvillohet ky proces është i padrejtë.
“Ky vetting për ne ka humb besueshmërisë jo vetëm të punonjësve të policisë, por edhe publikut. Vetë ndryshimet që ka pësuar ligji i vettingut dhe deri tani që po zbatohet tregon se nuk i shërben shumë publikut por vetëm Ministrisë së Brendshme”, përfundoi Fishta.