Foto ilustruese

Qeveria i jep 200 milionë lekë të vjetër Akademisë së Futbollit "Durrah City", i mbulon shpenzimet për 2023

6 Dhjetor 2023, 22:00| Përditesimi: 6 Dhjetor 2023, 22:13

  • Share

Qeveria shqiptare ka miratuar një fond prej 20 milionë lekësh të rinj (ose 200 milionë lekësh të vjetër) për të mbuluar shpenzimet e 'Durrah City Football Academy' për vitin 2023. Në vendimin që është botuar në Fletoren Zyrtare thuhet se me propozimin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, “Për buxhetin e vitit 2023” të ndryshuar, akordohet ky fond.

Gjithashtu sipas pikës tre, Fondacioni “Durrah City Football Academy”, brenda muajit shkurt 2024 duhet të dërgojë zyrtarisht në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit raportin e shpenzimeve të realizuara për vitin 2023, të miratuara nga Bordi Drejtues i fondacionit.

Kujtojmë se në Durrës do ngrihet një akademi futbolli për të rinjtë, kjo pas një marrëveshje të firmosur edhe me gjigantët e Manchester City-t.

"V E N D I M PËR FINANCIMIN E VEPRIMTARISË SË FONDACIONIT “DURRAH CITY FOOTBALL ACADEMY” PËR VITIN 2023

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 7, pika 2, dhe 19, pika 4, të ligjit nr.79/2017, “Për sportin”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.84/2022, “Për buxhetin e vitit 2023”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Fondi prej 20 000 000 (njëzet milionë) lekësh, i miratuar për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit në buxhetin e vitit 2023, në programin buxhetor 08140 “Për zhvillimin e sportit”, në llogarinë ekonomike 604 “Transferta të brendshme”, të përdoret për financimin e shpenzimeve të ushtrimit të veprimtarisë së fondacionit “Durrah City Football Academy”.

2. Fondi i përcaktuar, sipas pikës 1, të këtij vendimi, transferohet në llogarinë e fondacionit, në bankën e nivelit të dytë.

3. Fondacioni “Durrah City Football Academy”, brenda muajit shkurt 2024, të dërgojë zyrtarisht në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit raportin e shpenzimeve të realizuara për vitin 2023, të miratuara nga Bordi Drejtues i fondacionit.

4. Fondet buxhetore, që do t’i akordohen fondacionit nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, duhet t’i nënshtrohen rregullave të menaxhimit financiar dhe kontrollit në përputhje me legjislacionin në fuqi për menaxhimin financiar dhe kontrollin.

5. Ngarkohet Ministria e Arsimit dhe Sportit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”, thuhet në vendim.

S.Dh/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?