Qeveria i jep gjashtë herë më pak para KLGJ-së për Hartën e Re Gjyqësore! Llagami te Ligjet: Duhen ndërtuar gjykata të reja, nuk kanë ambiente të mjaftueshme

4 Nëntor 2022, 16:55| Përditesimi: 4 Nëntor 2022, 17:51

  • Share

Ministria e Financave i ka vënë në dispozicion Këshillit të Lartë Gjyqësor gjashtë herë më pak buxhet nga sa është kërkuar për vitin 2023 në lidhje me programin e buxhetit gjyqësor, pavarësisht se krahasuar me 2022-shin rritja është deri në 8%. Drejtuesja e institucionit, Naureda Llagami, te Ligjet e lidhi kërkesën për shtim buxheti për shkak të implementimit të hartës së re gjyqësore.

 “Fatkeqësisht kemi gjashtë herë më parë të njohura nga tavani. Kemi kërkuar sepse kemi projektin madhor që është harta e re gjyqësore. Ne patëm mirëkuptimin e qeverisë dhe e kemi pasur gjatë periudhës së miratimit të hartës dhe të një pjese të buxhetimit, por ne duhet të kuptojmë që ka ardhur koha që harta e re gjyqësore dhe modernizimi i gjykatave duhet të jetë fjala kyç e gjyqësorit.”, shprehet Naureda Llagami, Kryetarja e KLGJ-së.

Por, për çfarë konkretisht duhen këto para? Llagami tha se infrastruktura është kryesorja dhe koha që të ndërtohen gjykata, mbështetje që sipas saj ka munguar. Llagami përmendi edhe disa prej atyre që kanë nevojë për ndërhyrje.

 “Ka ardhur koha që në fakt të ndërtohen gjykatat. Kemi kërkuar vjet ndërtimin e gjykatave, projektet e gjykatave dhe këtë vit prapë i rikërkojmë këto. Fillojmë me Gjykatën e Lartë, me Apelin e Tiranës, kemi Fierin, Durrësin, Lezhën. Dhe të gjithë këto projekte që i kemi propozuar i kemi bërë në bashkëpunim me Prokurorin e Përgjithshëm.”, thotë Llagami.

Kaq mjaftoi që edhe opozita të shprehte pakënaqësitë. Enkelejd Alibeaj i kujtoi Llagamit kohën kur ajo ishte shprehur se projekti i hartës së re gjyqësore ka të gjithë mbështetjen financiare të qeverisë.

 “78 gjyqtarë në Gjykatën e Apelit të Tiranës nuk ka mundësi teorike, jo më praktike të kenë një tavolinë me kompjuter e jo më salla. Ndihem mirë për faktin që me sa shoh, harta e re gjyqësore, ajo që e miratuat me tam-tame të mëdha juve dhe qeveria nuk do të bëhet efektive. Tashmë do të jeni të detyruar ose ta zhbëni, ose qeveria t’iu financoj.”, shprehet Enkelejd Alibeaj, Kryetar i Grupit Parlamentar të PD-së.

Harta e re gjyqësore pritet të nis implementimin duke filluar nga 1 shkurti i vitit të ardhshëm, teksa do të jetë e përqendruar në vetëm gjashtë gjykata apeli në vend. Apeli i Tiranës është më problematiku për ambiente, për shkak të mungesës së hapësirës.

S.C//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?