Bashkë me Projektligjin për Buxhetin e Shtetit të vitit 2020, sot në Konferencën e kryetarëve të grupeve parlamentare, ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj ka prezantuar sot edhe një numër ndryshimesh që parashikohet të bëhen në legjislacionin e taksave në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Konkretisht, këto ndryshime, që parashikohet t’i kalojnë Kuvendit për diskutim, janë si më poshtë.
Tatimi mbi të ardhurat
· Incentivimin e sektorit të industrisë automotive duke ulur normën e tatim fitimit në 5 %, për personat juridikë që ushtrojnë aktivitet ekonomik në këtë industri
· Promovimin e sportit, me qëllim rritjen e impaktit pozitiv të tij në shoqëri. Për këtë arsye propozohet incentiva fiskale për përjashtimin nga tatimi mbi të ardhurat personale të shpërblimeve qe u jepen sportistëve, apo ekipeve sportive pjesë të federatave sportive të njohura nga legjislacioni përkatës. Gjithashtu, për personat juridikë, të cilët realizojnë fitim vjetor të tatueshëm mbi 100 milion lekë, shumat e sponsorizuara në fushën e sportit, të njohura si shpenzime të zbritshme, për efekt të llogaritjes së tatimit mbi fitimin, janë të zbritshme sa trefishi i shumës së sponsorizuar
· Mbartjen e humbjeve për një periudhë 5-vjecare për tatimpaguesit, që investojnë në projekte biznesi me vlerë mbi 1 miliard lekë
· Harmonizimin e Ligjit nr 8438 nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar me ligjin e ri “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”
Taksat kombëtare
· saktësimin e vlerës së mjetit për efekt të kritereve që duhet të përmbushi një automjet për tu konsideruar automjet luksi, duke e amortizuar vlerën e automjetit me 10% me vlerë të mbetur;
· ndryshime në penalitet me qëllim unifikimin e gjobës për pagesë të vonuar për taksën vjetore të mjeteve të përdorura;
· rritje të komisionit që përfiton DPSHTRR, prej 5 (pesë) përqind për taksën e regjistrimit fillestar dhe taksën e përvitshme për automjetet luksoze”;
· shtimin e kategorisë së personave me aftësi të kufizuar për tu përjashtuar nga taksa vjetore të mjeteve të përdorura
· përjashtimin nga pagimi i taksës vjetore të mjeteve të përdorura, “Automjeteve të hershme me interes historik dhe koleksionimi sipas akteve ligjore e nënligjore në fuqi”.
Procedurat Tatimore, Tatimi mbi Vlerën e Shtuar
Ndryshimet në Ligjet: “Për procedurat tatimore” dhe “Për tatimit mbi vlerën e shtuar” lidhen kryesisht me hartimin dhe miratimin e ligjit “Për fiskalizimin”. Pra jane ndryshime proceduriale të lidhura me të. Njëkohësisht janë rishikuar edhe disa shkelje administrative dhe nivele penalitetesh me qëllim lehtësimin e zbatimit praktik të tyre.
Ndërkohë, do të hyjë në fuqi një rritje e programuar e akcizës së cigareve,e me një efekt vjetor +750 milionë lekë. Si dhe planifikohet miratimi i një ligji për rivlerësimin e banesave. Efekti i vlerësuar për vitin 2020 është +4 miliard lekë