Këshilli i Ministrave ka vendosur të kalojë fondin prej 7.2 miliardë lekësh lekë pa TVSH, për financimin e rindërtimit të banesave individuale, sipas projekteve model të miratuara. Projektet e miratuara janë të projektuara në formën e shtëpive individuale 1+1, 2+1 dhe 3+1, dhe në total me këtë fond Bashkia e Tiranës dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit është parashikuar të ndërtojnë 3400 banesa.
Në mbledhjen e këshillit të ministrave është vendosur që nga fondi i përcaktuar prej 20 miliardë lekësh, të përdoret kjo pjesë, ku Fondit Shqiptar të Zhvillimit i shtohen në zërin shpenzime kapitale me financim të brendshëm mbi 5.4 miliardë lekë pa TVSH. Ndërsa për Bashkinë e Tiranës transferohet fondi prej mbi 1.8 miliardë lekë pa TVSH, në formën e transfertës së pakushtëzuar (fond i caktuar që kalohet nga buxheti i shteti te pushteti lokal i cili mund ta përdorë për funksione të ndryshme).
Bashkia e Tiranës është parashikuar të ndërtojë 889 banesa individuale, ku 312 banesa janë 1+1, 334 banesa individuale 2+1 dhe 243 banesa 3+1. Ndërkohë Fondi Shqiptar i pritet të ndërtojnë 2500 njësi banimi individuale, të cilat ndahen në 683 banesa 1+1, 972 banesa 2+1 dhe 845 banesa 3+1. Aktualisht qeveria po punon edhe për përthithjen e fondeve të premtuara në Konferencën e Donatorëve.