Ekonomi

Qeveria ligj të ri për koncesionet, jo më bonus për ofertat e pakërkuara! Oferta dhe çmimet do publikohen me detyrim, krijohet njësia e zbatimit të kontratës

20 Maj, 16:35| Përditesimi: 20 Maj, 16:46

  • Share

Investimet madhore përmes koncesioneve në infrastrukturë, energji, mjedis, turizëm, shëndetësi dhe arsim do të bëhen duke zbatuar disa rregulla të reja dhe më strikte. Siç edhe ishte paralajmëruar, qeveria ka publikuar projektligjin e ri për koncesionet dhe partneritetin publik privat, në të cilin parashikohen kufizime të reja për lidhjen e kontratave.

Nuk do të ketë më bonus 10% për ofertat që vijnë si propozim i pakërkuar për projekte të ndryshme, si dhe në projektligjin e ri është specifikuar që nuk do të shqyrtohet asnjë propozim i pakërkuar që vjen për ndërtim hidrocentralesh. Kjo masë është ndërmarrë në kuadër edhe të objektivit të qeverisë për të shkuar drejt prodhimit të energjisë nga burimet e rinovueshme dhe jo duke u përqendruar vetëm tek burimet ujore.

Po ashtu do të ketë kontrolle të posaçme për të shmangur konfliktin e interesit nëpër gara, dhe për të parandaluar korrupsionin, ku sipas nenit 17 në mbikëqyrje duhet të mbahen edhe punonjësit institucionit që angazhohen nëpër procedurat e koncesionit.

Kritere të reja janë caktuar edhe për konfidencialitetin. Me ligjin e ri do të detyrohen institucionet të bëjnë publike çmimin e ofertës, listën e çmimeve, katalogun, informacionin lidhur me kriteret e përzgjedhjes së ofertës, dokumentet publike. Deri më tani këto janë konsideruar konfidenciale nga operatorët privatë.

Për çdo koncesion duhet të jetë bërë paraprakisht studimi i fizibilitetit i miratuar edhe nga Ministria e Financave, pasi të jenë analizuar të gjitha kostot-përfitimet dhe implikimet me rrezik për buxhetin e shtetit.

Kohëzgjatja e koncesionit nuk do të jetë më e gjatë se 35 vjet, ndërsa autoriteti kontraktor do të ketë të drejtë të ndërpresë kontratën nëse konstaton shkelje serioze, paaftësi paguese apo mos përmbushje të detyrimeve. Kontrata do ndërpritet edhe kur subjekti privat dënohet me vendim formës së prerë për veprat penale, grup kriminal, mashtrim, korrupsion, terrorizëm, trafikim i qenieve njerëzore apo pastrim parash.

Një risi që i shtohet këtij ligji është edhe “Njësia e Zbatimit të Kontratës’, e cila do të ngrihet në autoritetet kontraktuese dhe do të jetë përgjegjëse për menaxhimin e kontratës, dhe monitorimin e performancës së kontratës, mënyrë për të shmangur zvarritjet.

Me këtë ligj të ri të drejtën për të lidhur kontrata koncesioni nuk e kanë vetëm ministritë e linjës dhe pushteti vendor por edhe institucionet kushtetuese, pushteti vendor, institucionet qendrore si dhe entet e krijuara e financohen nga buxheti i shtetit.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë Relacionin

 

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë Draft projekti

K.T./r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Berisha kalon për gjykim për dosjen Partizani, a do të ketë drejtësi?