Përmbytjet në Libi, Qeveria vendore: Rreth 5 mijë shtëpi të dëmtuara dhe 6 mijë viktima

16 Shtator 2023, 09:12| Përditesimi: 16 Shtator 2023, 09:18

  • Share

Rreth 5,000 shtëpi janë dëmtuar nga stuhitë e përmbytjet shkatërrimtare në verilindje të Libisë në rajonin Jabal Akhdar, njoftoi qeveria vendore.

“Rajoni ka nevojë për punime dhe rindërtim të rreth 35 km rrugë të dëmtuara, si dhe rreth 20 km kanalizime të ujit të reshjeve”, njoftoi Autoriteti i Strehimit dhe Shërbimeve.

Rrjeti i kanalizimit të ujërave është shembur prej përmbytjeve dhe ka shkaktuar ndërprerjen e furnizimit me ujë në disa zona, raportojnë mediat e huaja.

Të paktën 6,000 viktima janë konfirmuar dhe mijëra të tjerë mbeten të humbur nga përmbytjet e fundjavës në lindje të Libisë, sipas shifrave zyrtare te tragjedise.

Shirat e rëndë të një stuhie madhore goditën lindjen e vendit të dielën kryesisht zonat e Benghazi, Al-Bayda, e Al-Marj, si dhe qytetet Soussa e Derna.

Më shumë se 38,640 janë detyruar të zhvendosen prej përmbytjeve, tha sot agjencia e emigracionit e Kombeve të Bashkuara.

Zyrtarët vendas thonin sot se të paktën 3000 viktima janë identifikuar dhe varrosur deri aktualisht.

Ora 17:15
Libia nis hetimet për shembjen e dy digave që shkaktuan përmbytjet shkatërruese

1694762972_libipermbytje.jpg

Autoritetet libiane kanë nisur hetimet për shembjen e dy digave që shkaktuan rreth 6 mijë viktima dhe mbi 5 mijë shtëpi të dëmtuara.

Prokurori i Përgjithshëm i Libisë, Al Sediq al Sour, tha ditën e sotme se prokurorët do të hetojnë shembjen e dy digave, të cilat u ndërtuan në vitet 1970, si dhe ndarjen e fondeve të mirëmbajtjes.

Përmbytjet masive në Libi kanë shkatërruar rrjetin e kanalizimit të ujërave, duke ndërprerë  furnizimit me ujë në disa zona.

Ora 10:26
Grupet e ndihmës paralajmërojnë për rrezikun e përhapjes së sëmundjeve në Libi

1694852783_libiw.jpg

Qyteti Derna në Libi pas vërshimeve vdekjeprurëse. Grupet e ndihmës kanë paralajmëruar për rrezikun në rritje të përhapjes së sëmundjeve, që mund të ndërlikojë edhe më shumë krizën humanitare në Libi. Në këtë shtet janë pakësuar shpresat të shtunën për gjetjen e më shumë të mbijetuarve pas vërshimeve vdekjeprurëse.

Vërshimet e javës së kaluar goditën qytetin-port të Dernas pasi dy diga shpërthyen si pasojë e presionit të shkaktuar nga shirat e rrëmbyeshëm dhe nga një stuhi e fuqishme.

Organizatat e ndihmës sikurse Ndihma Islame dhe Mjekët pa Kufi kanë paralajmëruar se tani ekziston rreziku i përhapjes së sëmundjeve, por edhe i vështirësive që ndihma humanitare të arrijë te ata që kanë më së shumti nevojë.

Ndihma Islame paralajmëroi për “një krizë të dytë humanitare” pas vërshimeve, duke theksuar se “ka rrezik në rritje të shfaqjes së sëmundjeve nga uji i kontaminuar, por edhe për mungesë të ushqimit, strehimit dhe ilaçeve”.

“Mijëra njerëz nuk kanë ku të flenë dhe nuk kanë ushqim”, tha Salah Aboulgasem nga kjo organizatë. “Në kushte të tilla, sëmundjet mund të përhapen shpejt pasi sistemi i ujit është i kontaminuar. Qytetit i vjen era vdekje. Pothuajse të gjithë kanë humbur dikë që e njohin”, shtoi ai.

Ndërkaq, Mjekët pa Kufi njoftuan se do të dërgojnë ekipe në lindje të Libisë për të vlerësuar se si është situata me ujin dhe situata sanitare.

“Me këso lloj ngjarjes, ne vërtetë shqetësohemi me sëmundjet që lidhen me ujin”, tha Manoelle Carton, koordinator mjekësor i organizatës në Derna, që i përshkroi përpjekjet për koordinim të ndihmës si “kaotike”.

Por, Kryqi i Kuq dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë kanë thënë se trupat e pajetë të fatkeqësive natyrore rrallë paraqesin rrezik shëndetësor. Një zëdhënës i Ushtrisë Kombëtare të Libisë ka thënë se nga vërshimet janë prekur “mbi 1.2 milion persona”.

Kombet e Bashkuara kanë lëshuar apelin për dërgimin e më shumë se 71 milionë dollarëve në Libi pasi qindra mijëra persona kanë nevojë për ndihmë. Organizata Ndërkombëtare për Migrim ka thënë se mbi 38.640 persona kanë mbetur të pastrehë në lindje të Libisë dhe 30.000 vetëm në Derna./REL

S.S/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?