Drejtuesit të SPAK do t’i garantohet siguria fizike deri në 3 vite pas përfundimit të mandatit si drejtues i këtij institucioni.
Vendimi është marrë sot nga Këshilli i Ministrave, që ka vendosur të zgjasë nga 2 në 3 vite pas përfundimit të detyrës mbrojtjen dhe sigurinë fizike për drejtuesin e SPAK-ut. Vendimi vjen pak ditë para mbarimit të mandatit të Altin Dumanit.
Garantimi i mbrojtjes personale të drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme bëhet nëpërmjet shoqërimit me truprojë të nivelit bazë dhe truprojë të nivelit të mesëm të garantuar nga Garda e Republikës.
Kujtojmë se drejtuesi aktual i SPAK-ut, Altin Dumani, mandati i të cilit mbaron në 18 dhjetor 2025, do të ketë mbrojtje edhe për 3 vite pas mandatit të tij.
Ndërkohë, për kryetarët e GJKKO dhe të Byrosë Kombëtare të Hetimit, mbrojtja për ta pas përfundimit të mandatit vijon të mbetet e pandryshuar në 2 vite.
Vendimi i Qeverisë:
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.478, DATË 10.7.2019, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PROCEDURËN E SIGURISË SË GJYQTARËVE TË GJYKATAVE KUNDËR KORRUPSIONIT DHE KRIMIT TË ORGANIZUAR, TË PROKURORËVE TË PROKURORISË SË POSAÇME DHE DREJTORIT TË BYROSË KOMBËTARE TË HETIMIT, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 47, të ligjit nr.95/2016, “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë dhe të ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Pika 3 e vendimit nr.478, datë 10.7.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për procedurën e sigurisë së gjyqtarëve të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme dhe drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit”, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Garantimi i mbrojtjes personale të kryetarëve të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit bëhet nëpërmjet shoqërimit me truprojë të nivelit bazë dhe truprojë të nivelit të mesëm gjatë kohëzgjatjes së mandatit dhe për një afat jo më shumë se 2 (dy) vjet pas përfundimit të tij. Garantimi i mbrojtjes personale të drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme bëhet nëpërmjet shoqërimit me truprojë të nivelit bazë dhe truprojë të nivelit të mesëm gjatë kohëzgjatjes së mandatit dhe për një afat jo më shumë se 3 (tre) vjet pas përfundimit të tij.”.
2. Ngarkohen drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Garda e Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
Komente
