Qeveria merr vendimin: 22 nëntori, dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe festë zyrtare! Një tjetër ditë në kalendarin e pushimeve

11 Janar, 12:09| Përditesimi: 11 Janar, 15:57

  • Share

TIRANË- 22 nëntori, dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe do të jetë festë zyrtare e Shqipërisë. Kështu bëri me dije ministri i Jashtëm Igli Hasani i cili tha se propozimi do t’i bëhet Kuvendit të Shqipërisë. Ministri Hasani deklaroi se 22 Nëntori ka simbolikë të veçantë dhe specifikon momentin më të madh unifikues të shqiptarëve.

“Këshilli i Ministrave sapo miratoi një vendim për një ndryshim për ligjin për festat kombëtare dhe ditët përkujtimore. Këshilli i Ministrave po i propozon Kuvendit të Shqipërisë shtimin e Ditës së Alfabetit si një nga festat tona kombëtare. Është një ditë me simbolikë të veçantë, 22 Nëntori përfaqëson momentin më të madh unifikues të shqiptarëve që janë shpërndarë pothuajse në të gjitha vendet e Ballkanit, janë të përfaqësuara në të gjitha fetë monoteiste, por ajo që i ka bashkuar dhe vazhdon t’i bashkojë është gjuha dhe fakti që në Kongresin e Manastirit zgjodhën të shkruajnë dhe të identifikohen në këtë gjuhë të bukur dhe të shenjtë me alfabetin latin”, u shpreh Hasani.

Iniciativa u mor edhe pas diskutimeve në samitin e diasporës. Kryeministri Edi Rama sugjeroi që 22 Nëntori, dita e Alfabetit të gjuhës shqipe të jetë një ditë e njohur si festë kombëtare edhe në Shqipëri. Në Kongresin e Manastirit 22 nëntori është shënuar Dita e Alfabetit Shqip, i zhvilluar mes datave 14 deri në 22 nëntor të vitit 1908.

Në të morën pjesë 50 delegatë nga 26 qytete të ndryshme, klube dhe shoqata. Në këtë Kongres u miratua vendimi që të pranohet alfabeti latin me disa ndryshime të shkronjave duke i përshtatur ato për gjuhën shqipe.

Në Manastir morën pjesë intelektualë shqiptarë nga të gjitha trojet. Kryetar i Kongresit u zgjodh Mid’hat Frashëri, kurse nënkryetarë ishin Luigj Gurakuqi dhe Gjergji Qiriazi, ndërsa motra e tij Parashqevi Qiriazi ishte gruaja e vetme në këtë Kongres.

Sipas numrit dhe rëndësisë së pjesëmarrësve, Kongresi i Manastirit ka qenë ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar në fillimet e shekullit XX, ku si rezultat i kësaj pune më 28 Nëntor të vitit 1912 u shpall edhe pavarësia e Shqipërisë.

Për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kjo ditë është festë kombëtare. Në Manastir funksionon Muzeu i Alfabetit të Gjuhës Shqipe, në të cilin gjenden rreth 56 fotografi të pjesëmarrësve dhe 230 dokumente në formë digjitale dhe në letër.

Ora 15:31
Pas Ditës së Alfabetit, numri i festave zyrtare shkon në 15! Tjetër ditë pushimi për administratën publike

1704984107_qeveria.PNG

Sot (11 janar) me vendim qeverie kalendarit të festave zyrtare iu shtua edhe Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe me 22 nëntor.

Me këtë vendim, numri i festave zyrtare në vend shkon në 15 të tilla, në të cilat Administrata Publike do të jetë pushim në 2024-ën. Në total bëhen 142 ditë pushimi për punonjësit e administratës publike duke marrë parasysh të shtunat, të dielat dhe pushimet vjetore.

Kalendari i festave zyrtare në Shqipëri për vitin 2024

01 janar 2024    Festat e Vitit të Ri

02 janar 2024    Festat e Vitit të Ri

14 mars 2024    Dita e Verës

22 mars 2024    Dita e Nevruzit

31 mars 2024    E diela e Pashkëve Katolike*

10 prill 2024       Dita e Bajramit të Madh**

01 maj 2024       Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve

05 maj 2024       E diela e Pashkëve Ortodokse*

16 qershor 2024  Dita e Kurban Bajramit**

05 shtator 2024   Dita e Shenjtërimit të Shenjt Terezës

22 nëntor 2024  Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

28 nëntor 2024   Dita Flamurit dhe e Pavarësisë

29 nëntor 2024   Dita e Çlirimit

08 dhjetor 2024  Dita Kombëtare e Rinisë*

25 dhjetor 2024 Krishtlindjet

 

 
M.Q.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Βρετωσ μπυογαρ: 12/01/2024 08:55

    Të gjitha këto Po,kurse për ata që luftuan për atdhe nuk ka 5maj po na intereson,pashkët e ortodhoksëve!!.

    Përgjigju
  • Iris: 12/01/2024 01:46

    15 dite pushime! Disa nga keto dite si ajo e shenjterimit te Nene Terezes dhe kjo e sotmja, Dita e Alfabetit jane qershia e idiotizmave te propozuara per te justifikuar dembelizmin oriental qe na ka mbytur dhe presim propozime te tjera si ky ne te ardhmen.Duke lexuar per kete feste te re pushim,mu kujtua Volteri kur shkruante i skandalizuar per ditet qe humbnin francezet ne emer te festave laike e fetare cdo vit dhe pasojat e tyre ne te ardhurat e tyre,ne ekonomi e finance.

    Përgjigju
    • @iris: 01/09/2024 09:56

      Dikush t’ja thote Volterit qe Franca ka 14 dite pushim zyrtar

  • Xjxj: 11/01/2024 18:52

    Sot (11 janar) me vendim qeverie kalendarit të festave zyrtare iu shtua edhe Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe me 22 nëntor. Sa "gazetare" injorante jeni. Me vendim qeverie thone. Medioker Keshilli i Ministrave ka propozuar ndryshime ne ligjin per festat zyrtare duke e futur dhe kete dite si feste zyrtare. Ligjet miratohen nga Kuvendi. Te paafte.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?